×
  • Lajme
  • Lajme

    Pse ka mallra nga Serbia në raftet e marketeve?

    Reporteri
    18 Prill 2019 | 16:31

    Importi i rregullt i mallrave ka pësuar rënie prej 99% në 5 mujorin e fundit, por në dyqane ende gjenden produkte të importuara nga Serbia dhe Bosnja. E deri më tash, Serbisë iu ka pamundësuar eksport i mallrave në vlerë prej 140 milionë eurosh si rezultat i vendosjes së taksës.


    Edhe pse taksa është vendosur nga nëntori i vitit të kaluar, ende në dyqane gjejmë produkte të Serbisë. Në lidhje me çështjen se sa po tregon efekt taksa, është diskutuar edhe në Kuvend ditë më parë.

    Deputetja e PDK’së, Ganimete Musliu, ka kërkuar sqarime nga Ministri i Tregtisë Endrit Shala se pse edhe pas pothuajse 5 muajve, në dyqane ende gjenden produkte të importuara nga Serbia.

    “A mund të na tregoni se çka po ndodh, që raftet kurrsesi nuk po zbrazen nga këto produkte serbe, si po hyjnë këto mallra dhe secili është efekti real i taksës 100% ndaj këtyre mallrave?”, pyeti ajo.

    Ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Endrit Shala, ka thënë se disa nga produktet kanë afat më shumë se 1 vit dhe kjo është arsyeja pse ende i hasim në dyqane.

    “Secili produkt ka afat, jemi të vetëdijshëm që masa është vendos në nëntor të vitit 2018, ka produkte në treg të Kosovës të cilat kanë afat më shumë se 1 vjeçar. Me hyrjen në fuqi të ligjit për mbrojtjen e konsumatorit, respektivisht nenit për vendosjen e flamurit të origjinës, ne me këtë ligj i kemi ndihmuar qytetarët e Republikës së Kosovës në vetëdijesimin e tij se çfarë produkti po blen, dhe qytetari nuk është duke e konsumuar mallrat nga këto dy shtete. Dhe kjo është arsye pse mallrat janë në rafte”, tha ai.

    E zëdhënësi i doganave, Adriatik Stavileci, ka treguar versionin e tij se pse ende gjejmë produkte nga Serbia.

    “Arsyeja pse ende ka mallra është efekti qe ka shkaktuar taksa tek konsumatorët te cilët kanë ndalur blerjet prandaj edhe stoqet ekzistuese janë ende prezente”

    Gjithashtu doganat kanë bërë të ditur për Gazetën Express se para vendosjes së taksës, vlera e importeve ditore ishte nga 1.2 milionë deri në 1.4 milionë, ndërsa tani është 7 mijë deri në 8 mijë euro që do të thotë se ka ulje 99% në importin e rregullt.

    Ndërsa për pohimet se në Kosovë po ka kontrabandë të mallrave, Stavileci ka thënë se nuk mund të themi një gjë të tillë.

    “Para hyrjes në fuqi të taksës, dogana ka bërë të gjitha përgatitjet e nevojshme për parandalimin eventual të rasteve të kontrabandimit, nuk mund të themi që kemi rritje enorme të kontrabandës”, ka thënë ai.

    Stavileci ka treguar edhe për produktet të cilat importohen më së shumti në Kosovë nga Serbia dhe për humbjet e shtetit të Serbisë si rezultat i vendosjes së taksës deri më tash.

    “Nga Serbia dhe Bosna kemi pasur import kryesisht të dy industrive kryesore, asaj të ushqimit dhe të ndërtimtarisë. Ndërsa sikur të mos ishte vendos taksa, nga nëntori i vitit të kaluar do të kishim import me vlerë 140 milion euro të produkteve.”

    E nënkryetarja e AAK’së, njëherësh edhe zëvendësministre e Zhvillimit Rajonal, Magbule Shkodra, ka thënë të dielën se taksa nuk do të hiqet, por do të mbetët në fuqi deri në njohjen nga shteti fqinjë, edhe përkundër presionit ndërkombëtar. Madje ajo ka shtuar se ndërkombëtarët duhet ta “edukojnë” Serbinë në kuptimin politik. /express/.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!