Pse Molliqaj po ja përmend Burdushin, Konjufcës – a kërkonte ndihmë deputeti i VV’së te Burdushi?

“E ti mundesh me shku tash te Burdushi…”. Mund të duket e pakuptimtë, por Dardan Molliqaj ka një arsyeje pse në disa raste po ia përmend Burdushin Glauk Konjufcës.


Përplasja për SHIK-un mes dy deputetëve të Kuvendit të Kosovës, Dardan Molliqajt të PSD-së e Glauk Konjufcës së VV-së ka përfshirë edhe mjekun popullorë Hysni Peçani të dyshuar për mashtrim, shkruan Reporteri.net.

Molliqaj, në seancës e Kuvendit të së premtes, gjatë shpalosjes të atyre që i quajti dëshmi se shefi i grupit parlamentar të VV-së ka qenë pjesëtarë i SHIK-ut në vitin 2001, nder tjera i tha Konjufcës së këtë herë nuk mund ta shpëtojë as Burdushi, nga siç tha Molliqaj, e vërteta.

“Ta kanë lëshu Burdushin nga burgu, Glauk. Janë kujdes kolegët e tu të ShIK-ut me e lëshu. As gjykata nuk të shpëton se ti e din që ky është sen i vërtetë”, tha ish-deputeti i VV-së, tash i PSD-së, në foltoren e Kuvendit.

“Mu Glauk më vjen marre prej teje se janë dhjetëra deputetë këtu që e dinë ke qenë në ShIK. Ka edhe qytetarë që nuk besojmë por kredibiletit yt politik ka rënë tërësisht. Qysh don me i kritiku Kadri Veselin a dikë tjetër, se ne këtu krejt e dimë që ke qenë në ShIK. E ti mundesh me shku tash te Burdushi”, shtoi Molliqaj gjatë fjalës së tij.

“Nashti të ndihmon Burdushi, e e kalon edhe ketë krizë, sikur krizat tjera”, përfundoi ai.

Por, ky nuk ishte i vetmi rast që Molliqaj ia përmendi ish-bashkëpartiakut Burdushin, emri i vërtetë i të cilit është Hysni Peçani.

Ai, edhe gjatë një paraqitje televizive, një natë para këtij fjalimi, i tha nënkryetari të VV-së se këtë herë nuk do të mund ta shpëtoj as mjeku popullor që dyshohet për mashtrim dhe shmangie nga tatimi.

Gazeta Online “Reporteri.net”, merr vesh, se Dardan Molliqaj i referohet një deklarimi që Burdushi e ka dhënë jo shumë kohë më parë në rrethe të ngushta, ku mjeku popullor ka pohuar se deputeti i VV-së Glauk Konjufca të ketë qenë një nga klientët e tij, në “klinikën” e tij e cila u bastis vitin e shkuar nga Policia e Kosovës.

Burdushi, kishte pohuar se Konjufca kishte shkuar ta takonte atë për t’i gjetur zgjidhje në disa probleme personale, me anë të metodave të tij, që në masë njihen si “sehire”.

Këto deklarime, Hysni Peçani i njohur si Burdushi, sipas asaj që po i referohet Molliqaj, i kishte bërë pak pas bastisjes së tij nga Policia, nëntorin e vitit të shkuar. Reporteri.net merr vesh se Burdushi kishte thënë se, Konjufca vizitat tek ai i kryente duke hyrë përmes hyrjes mbrapa shtëpisë së tij në Prizren, që Burdushi i shfrytëzonte si “ordinancë”, ku pretendonte se mjekonte njerëz përmes metodave të tij.

Madje, se ka politikanë që e kanë vizituar Burdushin, vetë mjeku popullor kishte pohuar publikisht, në një intervistë televizive, në ditën kur u bastis.

“Bëhet termet”, thoshte ai, “nëse publikohen materialet”, që sipas tij dëshmojnë se për të kërkuar shërim në shtëpinë e tij kanë shkuar edhe shumë figura publike.

Madje, ai në të njëjtën intervistë, pohonte se edhe një ministër e kishte pasur klient për t’ia shëruar gruan.

Pas kësaj interviste, më 16 nëntor 2019, policia e arrestoi mjekun popullorë, Ai u mbajt për rreth 4 muaj në paraburgim.

Arrestimi i tij ndodhi pas një bastisje në shtëpinë e tij, në të cilën Prokuroria dhe Policia njoftuan se konfiskuan edhe disa CD dhe telefona mobilë, përveç armë, plumba e gjëra tjera.

Burdushi për momentin ndodhet në arrest shtëpiak, dhe dyshohet për mashtrim dhe shmangie tatimi. Por, në të njëjtën kohë ndaj tij ka edhe një aktakuzë tjetër për mashtrim, gjatë punës së tij.

Në proceset gjyqësore të nisura ndaj tij, mbetet të shihet, nëse nga CD-të dhe materialet tjera të konfiskuara nga ai, gjatë bastisjeve, do të dëshmohet se cilët politikanë dhe figura tjera. /Reporteri.net/.