×
  • Lajme
  • Lajme / Politikë

    “Pse të mos e bëjmë”, LDK-ja ende pa përgjigje zyrtare për ftesën e Kurtit për koalicion

    Reporteri
    06 Maj 2025 | 8:06

    Kryetari i Vetëvendosjes, Albin Kurti përmes një letre të dërguar në drejtim të Lumir Abdixhikut ka kërkuar që të bëjë koalicion me partinë që ai drejton, Lidhjen Demokratike të Kosovës. Në letrën e Kurtit, për tu takuar e për të folur si “politikanë të pjekur”, ai i thotë Abdixhikut se votuesit e tij do të preferonin një koalicion me VV-në, si dhe ata të VV-së një me LDK-në, shkruan Reporteri.net.

    Kurti, i cili ditën e zgjedhjeve i quajti “hajvanat”, e gjatë fushatës nuk i konsideronte si të duhur për koalicion LDK-në, duke qenë se kishin qenë bashkë për 51 ditë në Kurti 1, në letër i kishte thënë Kryetarit të LDK-së se me të s’kishte pasur probleme në bashkëpunimin që kishin pasur, por problemi kishin qenë disa të tjerë që tani s’janë në pozitat e asaj kohe.

    Gjithashtu, ai i përmend atij koalicionet e pasluftës.

    “LDK njihet si parti e cila nuk ka hezituar për koalicione qeverisëse: në 2001-2004 me PDK dhe AAK, në 2004-2007 me AAK, në 2008-2010 me PDK. Në 2014-2017 sërish me PDK, ndërkaq me LVV”, thuhej mes tjerash në letrën e Kurtit.

    “Pse mos ta bëjmë?”, e pyet mes tjerash Kurti, Abdixhikun.

    Kurti i kërkon koalicion Abdixhikut: Mirë do të ishte të takohemi e të flasim si politikanë të pjekur

    Por, për krejt këtë letër, kryetari i VV-së ende s’ka marrë një përgjigje nga Lumir Abdixhiku i LDK-së. Letra u publikuar të hënën, menjëherë pas dështimit të seancës konstituive, dhe i pyetur nga gazetarët, Abdixhiku tha se ende nuk e kishte parë, dhe se duhet trajtuar kjo çështje pa arrogancë.

    Në një deklarim të dytë, të shkurtër para gazetarëve, ai theksoi se “qëndrimet e LDK-së tashmë i dini”, por që paralajmëroi se do ketë një deklarim zyrtar së shpejti.

    Se ende s’i janë përgjigjur letrës së Kurtit, e tha të hënën mbrëma edhe nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri, për të cilin me këtë letër është krijuar një rrethanë e re politike.

    Por, pavarësisht kësaj, ai e cilësoi atë edhe si një goditje, me përmendjen që Kurti ka bërë për koalicionet.

    “Duhet me prit që LDK me qenë e gatshme me reagu meqëm si çdoherë. Ne as nuk ngutemi, e as nuk vonohemi. Jemi duke e trajtu me seriozitet. LDK nuk vonohet, sepse kjo është situatë e ndjeshme”, deklaroi mbrëmë Haziri.

    /Reporteri.net/

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!