Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Prapashtesa (PZAP) e ka vlerësuar të pabazuar ankesën e Lidhjes Demokratike të Kosovës në Podujevë, pasi që këta të fundit kanë kërkuar nga PZAP që të gjobitet Lëvizja Vetëvendosje, për pjesëmarrjen e hoxhallarëve në tubimet gjatë fushatës zgjedhore.
PZAP thotë se në shkresën e lëndës nga fotografit e dërguara është vërejtur se subjekti politik LVV ka mbajtur takim në të cilën kanë marrë pjesë disa persona, por nuk është cekur se në cilën faqe të Facebook-ut janë postuar fotot e bashkangjitura në ankesë për ankesën e tyre dhe po ashtu se nuk dihet data kur janë shkrepur ato fotografi.
“Refuzohet e pabazuar ankesa Anr.1110/2021 e datës 10.11.2021 e Subjektit Politik Lidhja Demokratike e Kosovës me seli në Prishtinë, me të cilin ka kërkuar që Subjektit Lëvizja Vetëvendosje, t’i shqiptohet gjobë për shkak të pjesëmarrjes së përfaqësuesve të bashkësive fetare në tubim”, thuhet në vendimin e PZAP-së.
LDK në ankesën e tyre kishin thënë se aktivistët e tyre kanë vërejtur se në rrjetin social Facebook, LVV ka postuar fotografi nga tubimet në Podujevë, në të cilat kanë marrë pjesë edhe hoxhallarë të dy xhamive në Podujevë.
Si dëshmi për ankesën e tyre në PZAP janë dërguar katër fotografi të printuara të hoxhallarëve, Idriz Bilalli, imam në xhaminë “Met Poduejva” në Podujevë dhe Besim Llaloshi, imam në xhaminë e fshatit Herticë.
LVV pretendimet e ankuesit i ka quajtur jo të drejta.
Nga rezultatet përfundimtare të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve Shpejtim Bulliqi nga LVV fiton edhe një mandat në Podujevë.