×
  • Lajme
  • Lajme

    Qejfi më i madh se Stambolli: Ani pse rreziku po rritet, Rrahman Jashari niset vet i 400-ti për Durrës

    Reporteri
    06 Korrik 2020 | 11:34

    Ndonëse situata me Covid-19 në vend tashmë po konsiderohet të jetë jashtë kontrollit, kjo nuk po i ndalon SBASHK-un që të dërgoj mësimdhënësit në pushime në Durrës.


    400 mësimdhënës për pesë ditë do të qëndrojnë në kompleksin turistik “Bonita” në Durrës. Kështu ka bërë të ditur për Telegrafin, kryetari i SBASHK-ut, Rrahman Jasharaj.

    Jasharaj ka thënë se kërkesa për të shkuar në pushim ani pse në kohë pandemie ka qenë e mësimdhënësve, dhe se do të bëjnë çmos që të respektohen masat për parandalimin e përhapjes së virusit.

    “Të gjitha vendimet për angazhimet e SBASHK-ut i sjell Këshilli Drejtues që është organi më i lartë i SBASHK-ut në mes të dy kongreseve. Këshilli Drejtues ka vendosur  me kohë që të vazhdohet me traditën e filluar para disa viteve për dërgimin e një numri të caktuar të anëtarëve në bregdetin shqiptar. Kësaj radhe ishte një situatë më ndryshe dhe prandaj kemi komunikuar vazhdimisht me kryetarët e nivelit komunal dhe të universiteteve dhe me vetë të përzgjedhurit nga shkollat e njësit akademike, ata janë shprehur se duan të shkojnë në pushime edhe në këto rrethana të reja dhe ne stafi qendror jemi me ta dhe do të bëjmë çmos që të respektohen masat e institucioneve përgjegjëse”, ka thënë Jasharaj për Telegrafin.

    Jasharaj ka theksuar se mësimdhënësit janë të ndarë në dy grupe dhe se grupi i parë është nisur sot.

    “Mësimdhënësit janë të ndarë në dy grupe me nga 200 persona. Grupi i parë i mësimdhënësve është nisur sot, aty do të qëndrojnë për pesë ditë ku një ditë pastaj do të pauzojmë për shkak që kompleksi të dezinfektohet, dhe pastaj do të niset edhe grupi i dytë poashtu prej 200 mësimdhënësve”, tha Jasharaj.

    Kryetari i SBASHK-ut bëri të ditur se kompleksi hotelier “Bonita” ku do të akomodohen mësimdhënësit ka kapacitete shumë më të mëdha të akomodimit.

    Ai theksoi se masat e kujdesit janë në nivel të duhur dhe çdo gjë do të shkojë mbarë.

    Ndryshe në Shqipëri deri më tani janë infektuar 2893 persona ndërkaq 76 kanë humbur jetën.

    Kurse në Kosovë numri i të infektuarave nga COVID-19 ka arritur në 3508 kurse 75 persona kanë humbur jetën.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!