×
  • Lajme
  • Lajme / Reagimi

    Qeveria i del në mbrojtje ligjit për KPM-në, arsyetohet se ruhet pavarësia e mediave

    Reporteri
    11 Korrik 2024 | 22:37

    Qeveria e Kosovës ka dalë me një sqarim të gjatë për miratimin në Kuvend të ligjit për Komisionin e Pavarur të Mediave, raporton gazeta online Reporteri.net.

    Sipas Qeverisë, ky ligj në radhë të parë sjell barazi dhe konkurrencë të shëndosh në treg. Qeveria ka deklaruar se ligji në tërësi përcjell direktivën për Shërbimet e Mediave Audiovizuele të Bashkimit Evropian, hartuar nga ekspertët e BE-së.

    “Gjatë konsultimeve e dëgjimeve publike të organizuara nga Zyra e Kryeministrit, u dëgjuan shumë palë, ekspertë të fushës, pjesëtarë të medias e shoqërisë civile. Të njëjtit u takuan edhe me ekspertët që kanë hartuar Ligjin, po ashtu nën organizimin e Zyrës së Kryeministrit”, thuhej në sqarimin e Qeverisë.

    “AGK-së i ofruam edhe takim të ndarë me ekspertët pas komenteve të tyre, për t’u siguruar që shqetësimet e tyre adresohen nga ata më të kualifikuarit e fushës së medias brenda BE-së”, thuhej më tej.

    Qeveria e Republikës së Kosovës ka miratuar Projektligjin për KPM-në mbi këto parime: respektimit të plotë të direktivës AVMS; harmonizimit të këtij Projektligji me legjislacionin në fuqi dhe sigurimit të zbatimit të të drejtave të garantuara e përgjegjësive të mveshura për të gjitha subjektet, nga një organ i pavarur kushtetutës, pra KPM.

    “Direktiva e Bashkimit Evropian AVMS, shtrihet mbi dy parime kryesore: të siguruarit që çdo medium që prodhon informacion i nënshtrohet rregullave të njëjta dhe, që çdo qytetar ka të drejtë të informohet mbi atë se kush ia plason lajmin përmes të cilit informohet, marrë parasysh që gjykimet tona edhe formohen mbi lajmin që na plasohet”, thuhej në këtë sqarim.

    Sipas Qeverisë, çdo portal që prodhon lajm vetërregullohet por, çdo portal që prodhon e plason lajm përmes audio apo video mesazhi, i duhet nënshtruar rregullave të njëjta me ato që vlejnë për televizion, sepse të dy këto kanë audiencën e njëjtë dhe kanë qëllimin e njëjtë – informimin. Andaj, të dy këto, për të qenë konkurrente në treg, i nënshtrohen rregullimit nga i njëjti organ i pavarur, në këtë rast Komisioni i Pavarur për Media.

    “Kosova nuk ka mekanizma tjerë të pavarur, institucional, që do mund të kryenin këtë detyrë të KPM-së. E këto qëndrime, janë të harmonizuara me vendimet e Gjykatës Evropiane të Drejtësisë”, ka sqaruar Qeveria.

    “Kemi ruajtur pavarësinë e mediave nga ndikimi politik e çdo ndikim tjetër që mund të perceptohej si i tillë nga publiku. Së këndejmi, asnjë parti politike dhe asnjë bashkësi fetare nuk mund të ketë pronësi në media”, thuhej në sqarim.

    Qeveria ka insistuar se  qytetarët do jenë të informuar në çdo kohë mbi atë kush ua plason lajmin, përmes qasjes në platformën e KPM-së e cila do tregojë saktë përfituesit fundorë të secilit medium.

    “Së fundmi, gjobat e parapara e të kritikuara nga shoqëria civile, janë të këtilla sepse janë harmonizuar me Ligjin në fuqi për Kundërvajtjet. Është detyrë e jona të sigurojmë harmonizimin dhe zbatimin efikas të ligjeve tona kombëtare”, thuhej në këtë sqarim.

    “Të udhëhequr nga ekspertët e Bashkimit Evropian e me vullnet për të fuqizuar KPM-në si institucion të pavarur kushtetues, por mbi të gjitha për t’i ofruar qytetarit të Kosovës mundësinë të krijojë opinionin në mënyrë të pavarur, gjithnjë sipas udhëzimeve të Direktivës AVMS”.

    Krejt në fund, Qeveria ka falënderuar deputetët për votimin e një ligji, sipas saj, cilësor e reformues.

     

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!