×
  • Lajme
  • Lajme

    Qeveria Kurti ende pa agjendë legjislative të publikuar

    Reporteri
    21 Prill 2021 | 8:34

    Qeveria e re e Kosovës, e zgjedhur më 22 mars, akoma nuk ka bërë publike agjendën e saj legjislative.


    Përkundër kësaj, juristë dhe përfaqësues nga shoqëria civile vlerësojnë se krahasuar me qeveritë e kaluara, Qeveria Kurti 2 do të jetë më efektive në miratimin e ligjeve, marrë parasysh edhe numrat që pushteti i ka në Kuvend.

    Legjislatura e shtatë e Kuvendit të Kosovës, e dalë nga zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare të tetorit të 2019-ës, miratoi vetëm 17 ligje, deri në shpërndarjen e saj. Jo shumë efektive ishte edhe legjislatura e gjashtë e cila kishte miratuar 109 ligje. Ndërsa, Legjislatura aktuale, e dalë nga zgjedhjet e 14 shkurtit, deri tash nuk ka miratuar asnjë ligj, ndërkohë qeveria akoma nuk e ka publikuar agjendën e saj legjislative.

    Vonesa disa javore e qeverisë për përgatitjen e agjendës legjislative, është normale, ka thënë për Radio Kosovën Florent Spahija, nga Instituti Demokratik i Kosovës. Ai beson se Qeveria Kurti 2 do të jetë më efektive në miratimin e ligjeve, marrë parasysh numrat që i ka në Kuvend.

    “Ne e dimë se kemi pasur qeveri dhe legjislatura shumë të dobëta. Kanë qenë kryesisht qeveri që kanë pasur një pakicë të vogël të deputetëve dhe për çështje të ligjeve të mëdha është dashur të kërkohet koalicione. Tash kemi një qeveri e cila ka një shumicë bindëse në Kuvend dhe konsiderojmë se ata mund t’i ndalë vetëm mos puna e tyre, pasi nuk besojmë se do të ketë probleme politike për sa i përket miratimit të ligjeve”, tha Spahija.

    Juristi Ehat Miftaraj, nga Instituti i Kosovës për Drejtësi, po ashtu beson se ekzekutivi i ri mund të jetë më efektiv në miratimin e ligjeve. Ai thotë se agjenda legjislative e qeverisë duhet të përmbajë ligje me prioritet.

    “Kuvendi i Kosovës, fatkeqësisht për më shumë se tri vite ka qenë pothuajse jo funksional. Nuk ka arritur të përmbushë mandatin e tij duke mos mund t’i dalë zot propozim-ligjeve të dërguara nga qeveria. Vlerësoj se qeveria Kurti 2 do të duhet të bëjë një analizë për të vlerësuar ligjet me prioritet, në mënyrë që Kuvendi gjatë këtij viti të mundë të përmbushë mandatin e tij me miratimin e ligjeve që do t’i propozojë qeveria”, pohoi Miftaraj.

    Rreth agjendës legjislative të qeverisë së re dhe publikimin e saj, Radio Kosova ka tentuar të kontaktojë edhe zyrtarë për media nga kryeministria, por, deri në realizimin e këtij materiali, nuk ka marrë ndonjë përgjigje.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!