×
  • Lajme
  • Raporto
  • Lajme / LAJMI I FUNDIT
    INSTANT

    Qeveria miraton nismën e PDK-së për ndryshimin e Ligjit për Gjykatën Speciale, i hap rrugë shqyrtimit në Kuvend

    Reporteri
    02 Tetor 2026 | 22:37

    Qeveria e Republikës së Kosovës ka miratuar të enjten iniciativën e PDK-së për nismën legjislative për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Gjykatën Speciale.

    Vendimi është marrë në mbledhjen e katërt elektronike të Qeverisë, të mbajtur më 2 tetor 2026, dhe në të thuhet se nuk ka pengesa ligjore që propozim-ndryshimi të procedohet në Kuvend.

    “Qeveria e Republikës së Kosovës ka zhvilluar mbledhje elektronike, në të cilën ka: Miratuar vendimin me të cilin i përgjigjet kërkesës së Kuvendit të Republikës së Kosovës me nr. Prot.1108 të datës 23.09.2026, për Nismën legjislative për “Projektligjin Nr. 11/L- 001 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit Nr. 05/L-053 për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar”, për të dhënë vlerësimin që përfshin: opinionin ligjor të përputhshmërisë me acquis të BE-së; vlerësimin e ndikimit buxhetor; dhe, opinionin ligjor lidhur me përmbajtjen e projektligjit në fjalë”, ka njoftuar Zyra e Kryeministrit.

    Vendimi tash i përcillet Kuvendit të Kosovës në kuadër të procedurës për shqyrtimin e kësaj nisme legjislative.

    “Qeveria e Republikës së Kosovës, në pajtim me kërkesën e Kuvendit të Republikës së Kosovës Nr. 1108, të datës 23 shtator 2026, vlerëson se nuk ka pengesa ligjore për Nismën për “Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit Nr.05/L-053 për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar”, thuhet në vendimin e Qeverisë.

    Zhvillimi vjen disa orë pas takimit të Kryeministrit Albin Kurti me kryetarin e PDK-së, Bedri Hamza.

    Propozimi për ndryshimin e Ligjit për Specialen është bërë nga PDK-ja, dhe ka ardhur pas aktgjykimit dënues të shkallës së parë në Hagë ndaj ish-krerëve të UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi e Rexhep Selimi.

    Më 16 shtator, Specialja dënoi Thaçin, Krasniqin, Veselin dhe Selimin me 81 vjet burgim nën akuzat për krime lufte.

    Kurti miratoi në Qeveri propozim-ndryshimin e Ligjit për Specialen, vjen reagimi i parë nga PDK-ja

    Reporteri
    02 Tetor 2026 | 23:21

    Qeveria e Kosovës mori vendim mbrëmjen e sotme për të dërguar përgjigjen ndaj kërkesës së Kuvendit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Gjykatën Speciale.

    Ndaj këtij vendimi ka reaguar deputeti i PDK-së, Arian Tahiri, i cili theksoi se UÇK-ja duhet të na bashkojë.

    “Siç e kam thënë përherë, UÇK-ja duhet të na bashkojë! Prandaj, çdo çështje që lidhet me të, duhet të trajtohet me përgjegjësi, sinqeritet dhe korrektësi maksimale”.

    “Pa kalkulime politike. Pa interesa të ngushta. Pa përçarje. Në çështjet që prekin themelet e lirisë sonë, duhet të jemi bashkë”, tha Tahiri në një postim në Facebook.

    Ndryshe, Qeveria e Kosovës ka miratuar të enjten opinionin lidhur me iniciativën e PDK-së për nismën legjislative për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Gjykatën Speciale.

    Vendimi është marrë në mbledhjen e katërt elektronike të Qeverisë, të mbajtur më 2 tetor 2026, dhe në të thuhet se nuk ka pengesa ligjore që propozim-ndryshimi të procedohet në Kuvend.

    “Qeveria e Republikës së Kosovës ka zhvilluar mbledhje elektronike, në të cilën ka: Miratuar vendimin me të cilin i përgjigjet kërkesës së Kuvendit të Republikës së Kosovës me nr. Prot.1108 të datës 23.09.2026, për Nismën legjislative për “Projektligjin Nr. 11/L- 001 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit Nr. 05/L-053 për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar”, për të dhënë vlerësimin që përfshin: opinionin ligjor të përputhshmërisë me acquis të BE-së; vlerësimin e ndikimit buxhetor; dhe, opinionin ligjor lidhur me përmbajtjen e projektligjit në fjalë”, ka njoftuar Zyra e Kryeministrit.

    Vendimi tash i përcillet Kuvendit të Kosovës në kuadër të procedurës për shqyrtimin e kësaj nisme legjislative.

    “Qeveria e Republikës së Kosovës, në pajtim me kërkesën e Kuvendit të Republikës së Kosovës Nr. 1108, të datës 23 shtator 2026, vlerëson se nuk ka pengesa ligjore për Nismën për “Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit Nr.05/L-053 për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar”, thuhet në vendimin e Qeverisë.

    Kordon i policisë te Ministria e Drejtësisë, protestuesit gjuajnë mjete piroteknike

    Reporteri
    02 Tetor 2026 | 20:38

    Protestuesit, në natën e 17 të protestave kundër dënimit të ish-krerëve të UÇK’së, kanë vazhduar protestën edhe tek Ministria e Drejtësisë.

    Numri i madh i protestuesve, duke bartur pankarta me mesazhin ‘Jo në emrin tim’, u nisën drejt MD’së ku kërkuan të votohet ligji për Specialen.

    Tek ministria u panë edhe një numër policësh të cilët kishin formuar një kordon, ndërsa në një moment, protestuesit hodhën edhe mjete piroteknike.

    Në protestë, organizatori i ‘’Jo në emrin tim’’, Çlirim Haziri, i ka kërkuar ministres Donika Gërvalla që ta procedojë ligjin për Specialen, duke theksuar se ata nuk do të ‘’ndalen asnjë natë’’.

    ‘’Kërkesën tonë prej qeverisë e sollëm te dyert e kësaj ministrisë, te ministrja Donikë, i kërkojmë sot këtu, ta procedojë atë ligj të UÇK’së, ta procedojë se në tavolinën e saj e ka dinjitetin e kombit tonë, e ka identitetin tonë kombëtar. E ne nuk do të ndalemi derisa asnjë natë derisa kjo ministri ta procedojë ligjin…’’, ka thënë mes tjerash Haziri.

    ‘’Motra e vëllezër mos e gjuani asnjë mjet piroteknik drejt policisë. Në mesin tonë ka fëmijë e nëna, mos gjuani’’, ka kërkuar Haziri nga protestuesit.

    Kurti i shpreh ambasadorit gjerman shqetësimin për aktgjykimin e Speciales

    Reporteri
    02 Tetor 2026 | 17:28

    Ambasadori gjerman në Prishtinë, Rainer Rudolph, ka takuar sot kryeministrin Albin Kurti, ku i shprehu urimet e tij dhe ritheksoi mbështetjen e palëkundur të Gjermanisë për integrimin evropian të Kosovës gjatë takimit të sotëm, tha ambasada gjermane.

    “Mezi presim të vazhdojmë bashkëpunimin tonë dypalësh, duke u mbështetur në marrëdhënien unike dhe të ngushtë mes Kosovës dhe Gjermanisë”, shkroi ambasada në një njoftim.

    Për këtë takim, komunikatë lëshoi edhe Zyra e Kryeministrit, e cila tha se Kurti e ka falënderuar ambasadorin Rudolph për kontributin dhe mbështetjen e vazhdueshme të Gjermanisë dhënë Kosovës.

    “Krahas diskutimit për zhvillimet politike në Kosovë, kryeministri Kurti dhe ambasadori Rudolph, biseduan për Procesin e Berlinit, nikoqire e të cilët do të jetë Kosova për herë të dytë këtë vit, si dhe për Forumin Ekonomik Kosovë-Gjermani që do të mbahet në fund të muajit tetor”.

    Kurti, sipas ZKM’së, shprehu shqetësimin e Republikës së Kosovës për aktgjykimin e Dhomave të Specializuara për katër ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, duke shtuar se aktgjykimi ka “pasaktësi faktike, historike dhe ligjore, që duhet të korrigjohen me doemos në apel”.

    Nesër protestë në Malmo në mbështetje të çlirimtarëve

    Reporteri
    02 Tetor 2026 | 15:39

    Platforma “Liria Ka Emër” ka njoftuar se nesër, më 3 tetor, në Malmo do të mbahet protestë në mbështetje të çlirimtarëve.

    Protesta do të nisë nga ora 14:00, ndërsa në të pritet të marrin pjesë bashkatdhetarë që jetojnë në Malmo dhe rrethinë.

    Organizatorët u kanë bërë thirrje bashkatdhetarëve t’i bashkohen protestës dhe të protestojnë në mënyrë paqësore dhe me dinjitet.

    Thirrja është bërë me motot “Jo në emrin tim” dhe “Liria Ka Emër”.

    Çitaku i kundërpërgjigjet Haxhiut: UÇK-ja është mbi çdo temë e çdo prioritet

    Reporteri
    02 Tetor 2026 | 14:12

    Sekretarja dhe deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku, i është kundërpërgjigjur ushtrueses së detyrës së prpesidentes dhe kryetares së Kuvendit, Albulena Haxhiu, pas deklaratës së saj se zgjedhja e presidentit është më e rëndësishme sesa votimi i ndryshimeve të Ligjit për Dhomat e Specializuara.

    “UÇK-ja është mbi çdo temë e çdo prioritet!”, ka shkruar Çitaku, duke theksuar se prioritetet i përcakton populli.

    “Dhe populli ka 17 ditë në rrugë për një arsye: UÇK-në”, ka shtuar ajo.

    Çitaku ka kërkuar që institucionet ta dëgjojnë zërin e qytetarëve dhe që ligji të sillet në Kuvend e të votohet pa vonesë.

    “Mos bëni politikë. Merrni, për një herë të vetme, vendime në interes të shtetit!”, ka deklaruar ajo, duke e përmbyllur reagimin me thirrjen “JO NË EMRIN TIM!”.

    Haxhiu: Më e rëndësishme është ta zgjedhim presidentin se sa të votojmë ndryshimet në ligjin për Dhomat e Specializuara

    Reporteri
    02 Tetor 2026 | 14:10

    Ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, ka deklaruar se zgjedhja e presidentit të Kosovës duhet të jetë prioritet dhe se kjo çështje nuk duhet të kushtëzohet me votimin e ndryshimeve ligjore të propozuara nga Partia Demokratike e Kosovës për Dhomat e Specializuara.

    Haxhiu ka thënë se nuk është për “pazare” lidhur me zgjedhjen e presidentit, duke u bërë thirrje partive politike që të ulen dhe të diskutojnë për prioritetet.

    “Unë nuk jam që të bëhen pazare për këtë çështje. Unë mendoj që të gjithë me përgjegjësinë më të lartë që kemi duhet të ulemi dhe të flasim për prioritetet që i kemi, sepse për mua më e rëndësishme është që ta zgjedhim presidentin se sa që ta votojmë ligjin”, ka deklaruar Haxhiu.

    Ajo ka thënë se pas zgjedhjes së presidentit do të mund të trajtohet edhe projektligji për ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara.

    “Sepse në qoftë se zgjidhet presidenti, atëherë do të kemi mundësi ta trajtojmë projektligjin, do të kemi mundësi që ta adresojmë kërkesën e Kuvendit të Republikës së Kosovës për një strategji të përbashkët”, ka thënë Haxhiu.

    Sipas saj, institucionet duhet të punojnë në një strategji të përbashkët, ku do të përfshiheshin përfaqësuesit e institucioneve, ekspertët dhe ekipet mbrojtëse të ish-krerëve të UÇK-së.

    “Për bindjen time më e qëlluar është strategjia e përbashkët ku mblidhen përfaqësuesit e institucioneve, ekspertë të fushës, ekipet mbrojtëse dhe përgatitemi e jemi në shërbim të ekipeve mbrojtëse në procesin e ankimimit në Gjykatën e Apelit, se sa të procedojmë nisma që ata vetë e dinë që mund të mos çojnë kërkund”, është shprehur ajo.

    Haxhiu ka theksuar se zgjedhja e presidentit duhet të jetë “prioritet mbi prioritetet”, duke argumentuar se dërgimi i vendit në zgjedhje do ta rikthente sërish në të njëjtën situatë.

    “Prandaj prioritet mbi prioritetet është që ta kemi presidentin sepse edhe vetë Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi, Jakup Krasniqi nuk mendoj që do të ndiheshin që e kanë mbështetjen e shtetit në qoftë se ne me vetëdije të plotë e çojmë vendin në zgjedhje”, ka deklaruar Haxhiu.

    Ajo ka shtuar se edhe pas zgjedhjeve mund të rikthehet çështja e zgjedhjes së presidentit.

    “Sidomos, ju e dini shumë mirë që edhe pas zgjedhjeve situata nuk do të ndryshojë dhe sërish problemin e njëjtë do ta kemi në tavolinë. Atëherë pse jo tash? Pse duhet për të dytën herë të na çojë çështja e presidentit në zgjedhje?”, ka thënë Haxhiu.

    Kurti e Hamza takohen sot, pritet të diskutojnë për Specialen dhe Presidentin

    Reporteri
    02 Tetor 2026 | 12:47

    Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, pritet të takohet sot me kryeministrin Albin Kurti, ku në fokus pritet të jetë edhe projektligji për ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara.

    Burime të Gazetës Online Reporteri.net bëjnë të ditur se takimi mes Hamzës dhe Kurtit pritet të zhvillohet sot në orën 16:30.

    Sipas këtyre burimeve, Hamza do të kërkojë sërish përgjigje nga Kurti lidhur me qëndrimin e Qeverisë për projektligjin për Specialen.

    Ndërkohë, kryetarja e Kuvendit dhe ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, ka bërë të ditur se Qeveria pritet që brenda kësaj jave ta procedojë në Kuvend opinionin lidhur me nismën për ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara.

    “Pas kryeministrit Kurti, Qeveria do të procedojë brenda kësaj jave opinionin. Ju e dini që në dispozicion Qeveria, sipas Ligjit për Nisma Legjislative, i ka 30 ditë”, ka deklaruar Haxhiu.

    Ajo ka thënë se, bazuar në komunikimet e deritanishme, Qeveria po bën përpjekje që opinioni t’i dërgohet Kuvendit brenda kësaj jave.

    “Me aq sa ne kemi qenë në komunikim, ata bëjnë përpjekje maksimale që brenda kësaj jave opinioni t’i drejtohet Kuvendit të Republikës së Kosovës”, ka thënë Haxhiu.

    Sipas saj, pas procedimit të opinionit do të hapet rruga për trajtimin e nismës në komisionet përkatëse parlamentare.

    “Dhe pastaj t’i hapet rrugë trajtimit të tij në komisionet përkatëse, sidomos për Legjislacion dhe komisionet tjera”, ka deklaruar Haxhiu.

    Aktualisht, Qeveria është në pritje të një opinioni ligjor nga Ministria e Drejtësisë lidhur me ndryshimet e propozuara. Krahas kësaj, Kurti dhe zyrtarë të Lëvizjes Vetëvendosje kanë përmendur edhe konsultimet me ekipet e mbrojtjes së ish-krerëve të UÇK-së në Hagë.

    Ndërkohë, Kurti sot nuk ka folur për projektligjin për Specialen. Ai ka bërë të ditur se kanë nisur komunikimet për arritjen e një marrëveshjeje për zgjedhjen e presidentit të Kosovës.

    Kurti ka thënë se kjo fundjavë do të jetë vendimtare dhe se synimi është që javën e ardhshme Kosova ta ketë presidentin e ri.

    “Kemi filluar komunikimet dhe natyrisht që kjo fundjavë është vendimtare për të pasur marrëveshje që javën e ardhshme të kemi president”, ka deklaruar Kurti.

    “Jo në emrin tim” aksion para Minstrisë së Drejtësisë, thirrje Gërvallës: Voto Ligjin, koha e arsyetimeve ka mbaruar

    Reporteri
    02 Tetor 2026 | 12:29

    Protestuesit e iniciativës “Jo në emrin tim” kanë realizuar sot një aksion para Ministrisë së Drejtësisë, ku kanë vendosur një baner me mbishkrimin “Voto Ligjin”, duke kërkuar procedimin dhe miratimin e ligjit për mbrojtjen e UÇK-së.

    Pas aksionit, aktivisti dhe protestuesi Rron Kafegjolli tha se qytetarët prej 17 ditësh po kërkojnë miratimin e këtij ligji dhe se vonesat janë të papranueshme.

    “Jemi këtu sot, para Ministrisë së Drejtësisë, sepse koha e arsyetimeve ka skaduar”, deklaroi ai.

    Kafegjolli tha se, sipas deklarimeve të kryeministrit Albin Kurti, ligji po mbahet i bllokuar në Ministrinë e Drejtësisë dhe atë të Financave.

    “Ky nuk është një udhëzim çfarëdo që mund ta kaloni lart e poshtë nëpër zyre! Sepse bëhet fjalë për ligjin që mbron të vërtetën e UÇK-së, dhe ne nuk do të lejojmë zvarritjen e tij”, u shpreh ai.

    Ai kritikoi ministren Gërvalla dhe ministrin Murati, duke kërkuar që institucionet të veprojnë në përputhje me kërkesat e qytetarëve.

    “Institucionet e këtij shteti nuk mund të mbeten peng i inateve apo bindjeve personale të ministres Gërvalla dhe ministrit Murati. Shteti nuk është pronë private e dikujt!”, tha Kafegjolli.

    Duke përmendur afrimin e 6 tetorit, ai i bëri thirrje Qeverisë të mos e zvarrisë më tej ligjin.

    “Qeveria duhet ta dijë se rinia po i vëzhgon dhe 6 tetori po afron me shpejtësi. Mos e provokoni durimin tonë!”, deklaroi ai.

    Kafegjolli e përmbylli fjalimin me kërkesën që Qeveria ta dëgjojë zërin e protestuesve dhe “të rreshtohet në anën e drejtë të historisë”.

    “Prioritet të jetë Ligji për Dhomat e Specializuara”, deputetët e PDK-së sërish lëshojnë mbledhjen e një komisioni parlamentar

    Reporteri
    02 Tetor 2026 | 12:13

    Deputetët e Partisë Demokratike të Kosovës, Ganimete Musliu dhe Fadil Demaku, kanë lëshuar mbledhjen e Komisionit për Administratë Publike, Digjitalizim, Pushtet Lokal, Media dhe Zhvillim Rajonal, duke kërkuar që prioritet i Kuvendit të jetë shqyrtimi i ndryshimit të Ligjit për Dhomat e Specializuara.

    Musliu ka thënë se, ndonëse kishte marrë pjesë në mbledhje për të konfirmuar konstituimin e komisionit, në situatën aktuale nuk mund të vazhdohet me punë rutinore të Kuvendit.

    “Vërtet sot jam këtu vetëm për të konfirmuar konstituimin e këtij komisioni dhe për t’i bërë funksional të gjithë trupat e Kuvendit që i duhen për të funksionuar një Kuvend normal, por sot, dje, e po shpresoj që nesër do të kemi një ditë tjetër, nuk mund të sillemi normal dhe të mbajmë rend dite e procesverbale të zakonshme, sikur gjithçka po funksionon normalisht”, ka deklaruar Musliu.

    Ajo ka thënë se Kuvendi nuk duhet të jetë indiferent ndaj kërkesave të qytetarëve dhe se, sipas saj, nuk duhet të ketë prioritet tjetër para ndryshimit të Ligjit për Dhomat e Specializuara.

    “Qytetarët e Republikës së Kosovës po kërkojnë që ky Kuvend të mos ketë asnjë prioritet tjetër para shqyrtimit ose plotësim-ndryshimit të Ligjit për Dhomat e Specializuara”, ka thënë Musliu.

    Musliu ka kërkuar gjithashtu unitet të deputetëve për këtë çështje.

    “Unë e di që ne mund të kemi dallime politike për shumë çështje, por këtu nuk guxojmë të kemi dallime, këtu duhet të jemi bashkë”, është shprehur ajo.

    Ndërkaq, deputeti Fadil Demaku ka thënë se projektligji për Dhomat e Specializuara duhet të jetë “prioriteti numër një” i Kuvendit.

    “Vetëm dua të konfirmoj atë që tha kolegia Ganimete Musliu, se prioritet për Kuvendin e Republikës së Kosovës sot është projektligji për Dhomat e Specializuara. Unë mendoj që të gjithë deputetët e Kuvendit të Republikës së Kosovës duhet të gjejnë sa më shpejt një unifikim të përbashkët dhe krejt potencialin tonë në këto ditë ta vënë në shërbim të këtij projektligji”, ka deklaruar Demaku.

    Ai ka thënë se çështjet e tjera mund të presin, ndërsa ka kërkuar që ndryshimi i ligjit të trajtohet me urgjencë.

    “Ky është prioriteti numër një. Çështjet e tjera asnjëra nuk është me nguti dhe të gjitha mund të presin”, ka thënë Demaku.

     

    Ndryshimi i Ligjit për Specialen, Haxhiu: Qeveria do ta procedojë opinionin këtë javë

    Reporteri
    02 Tetor 2026 | 12:07

    Kryetarja e Kuvendit të Kosovës dhe ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, ka bërë të ditur se Qeveria pritet ta procedojë brenda kësaj jave opinionin lidhur me nismën për ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara.

    Haxhiu ka thënë se Qeveria, sipas Ligjit për Nisma Legjislative, ka në dispozicion 30 ditë për ta dërguar opinionin në Kuvend.

    “Sipas kryeministrit Kurti, Qeveria do të procedojë brenda kësaj jave opinionin. Ju e dini që në dispozicion Qeveria, sipas Ligjit për Nisma Legjislative, i ka 30 ditë”, ka deklaruar Haxhiu.

    Ajo ka bërë të ditur se, bazuar në komunikimet e deritanishme, Qeveria po bën përpjekje maksimale që opinioni t’i dërgohet Kuvendit brenda kësaj jave.

    “Me aq sa ne kemi qenë në komunikim, ata bëjnë përpjekje maksimale që brenda kësaj jave opinioni t’i drejtohet Kuvendit të Republikës së Kosovës”, ka thënë ajo.

    Sipas Haxhiut, pas dërgimit të opinionit, nisma do të mund të trajtohet në komisionet përkatëse parlamentare, përfshirë Komisionin për Legjislacion.

    “Dhe pastaj t’i hapet rrugë trajtimit të tij në komisionet përkatëse, sidomos për Legjislacion dhe komisionet tjera”, ka deklaruar Haxhiu./Reporteri.net/

    Ndryshon orari i protestës “Jo në emrin tim” – vazhdon për të 17-tën natë në sheshin “Skënderbeu”

    Reporteri
    02 Tetor 2026 | 11:32

    Organizatori i protestave “Jo në emrin tim”, Çlirim Haziri, ka njoftuar se protesta do të vazhdojë sonte për të 17-tën natë me radhë në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë, me një ndryshim të orarit.

    Përmes një postimi, Haziri ka bërë të ditur se, duke filluar nga sonte, protesta do të nisë në orën 19:00.

    “KUJDES – NGA SONTE NDRYSHON ORARI! ORA 19:00. Sheshi ‘Skënderbeu’”, ka shkruar ai.

    Haziri u ka bërë thirrje qytetarëve të bashkohen sërish në protestë.

    “17 net rresht. Për UÇK-në. Për drejtësi. Shihemi sonte në ora 19:00!”, ka shkruar Haziri.

    Associated Press për protestën e djeshme kundër Speciales: Më e madhja mbarëkombëtare deri më tani

    Reporteri
    02 Tetor 2026 | 10:38

    Protesta e djeshme kundër aktgjykimit të Gjykatës Speciale ndaj ish-krerëve të UÇK-së ka tërhequr vëmendjen e mediave të mëdha botërore.

    Për këtë ngjarja ka shkruar edhe agjencia prestigjioze amerikane e lajmeve Associated Press (AP).

    Sipas raportimit të AP-së, protestat kanë ardhur pas vendimit dënues të Gjykatës Speciale për ish-presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi, dhe tre ish-komandantë të tjerë të UÇK-së për krime lufte të kryera gjatë luftës së viteve 1998-1999.

    Duke treguar për dënimin e marr nga katërshja e UÇK-së, AP ka raportuar se dënimi ka shkaktuar protesta të përditshme në Kosovë, ndërsa autoritetet dhe një pjesë e madhe e shoqërisë kosovare i kanë kundërshtuar ato.

    Sipas kësaj media, Kosova i ka cilësuar vendimet si të padrejta, duke argumentuar se UÇK-ja luftoi kundër shtypjes serbe. Në vend ka shqetësime se aktgjykimet mund të ndikojnë në mënyrën se si perceptohet lufta për pavarësinë e Kosovës.

    Djali i Thaçit falënderon marshuesit: Prania e juaj dëshmoi se zëri dhe e vërteta e një populli nuk mund të burgosen

    Reporteri
    02 Tetor 2026 | 10:17

    Endrit Thaçi, djali i ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, ka reaguar pas protestës së mbajtur në kundërshtim me aktgjykimin e Gjykatës Speciale në Hagë ndaj ish-krerëve të UÇK-së.

    Përmes një postimi në “InstaStory”, ai ka falënderuar qytetarët për pjesëmarrjen, duke thënë se prania e tyre tregon se “e vërteta e një populli nuk mund të burgoset”.

    Në reagimin e tij, Thaçi ka theksuar se për popullin, drejtësia lidhet me “pafajësinë dhe lirinë”, duke bërë thirrje që kjo çështje të mos ndalet.

    “Për ne, drejtësia ka vetëm dy fjalë: Pafajësi dhe liri dhe nuk do të ndalemi derisa ta arrijmë atë! UÇK”, ka shkruar ai.

    BE-ja për protestat në Kosovë pas aktgjykimit në Hagë: Demonstratat paqësore janë e drejtë themelore

    Reporteri
    02 Tetor 2026 | 8:38

    Bashkimi Evropian ka komentuar protestat e zhvilluara në Kosovë pas aktgjykimit të Dhomave të Specializuara në Hagë ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, duke theksuar se demonstratat paqësore janë pjesë e të drejtave themelore në një shoqëri demokratike.

    Në një përgjigje për Front Online, një zëdhënës i BE-së tha se institucioni evropian po e përcjell nga afër situatën në Kosovë.

    “Demonstratat paqësore janë një e drejtë themelore në një shoqëri demokratike”, thuhet në përgjigjen e BE-së.

    BE-ja ka bërë të ditur se do të vazhdojë ta monitorojë situatën në vend.

    “Ne do të vazhdojmë ta ndjekim nga afër situatën”, thuhet më tej në përgjigjen e zëdhënësit evropian.

    Duke iu përgjigjur pyetjes lidhur me protestat e zhvilluara para zyrave të misionit të BE-së për sundimin e ligjit në Kosovë, EULEX, BE-ja ka dhënë edhe një sqarim për funksionimin e këtij misioni.

    “Për informacionin tuaj, mund të konfirmojmë gjithashtu se EULEX-i është plotësisht funksional”, thuhet në përgjigje.

    Reagimi i BE-së vjen pas protestave dhe zhvillimeve në Kosovë që pasuan aktgjykimin e 16 shtatorit në Hagë. Dhomat e Specializuara i shpallën fajtorë ish-krerët e UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi, për vepra penale të luftës.

    Thaçi dhe Krasniqi u dënuan me nga 25 vjet burgim, Veseli me 18 vjet, ndërsa Selimi me 13 vjet burgim.

    “Jo në emrin tim” vazhdon protestën, qytetarët mblidhen sonte në shesh për të 17-tën natë radhazi

    Reporteri
    02 Tetor 2026 | 8:25

    Iniciativa “JO NË EMRIN TIM” pritet të vazhdojë edhe sonte protestën kundër aktgjykimit të Gjykatës Speciale ndaj drejtuesve të UÇK-së.

    Tubimi është paralajmëruar të nisë në orën 21:00, në Sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë.

    Kjo do të jetë dita e 17-të e protestës.

    Kujtojmë që dje është mbajtur marshi në Prishtinë, ku mijëra qytetarë u mblodhën për të shprehur kundërshtimin ndaj aktgjykimit të Gjykatës Speciale.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme
    ×

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2026. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!