×
  • Lajme
  • Lajme

    Qeveria shpall masa emergjente për kufizim të furnizimit me energji

    Reporteri
    24 Dhjetor 2021 | 17:04

    Vendi edhe zyrtarisht ka hyrë në gjendje emergjente me rrymë. Me një vendim të Qeverisë, të marrë të premten, qytetarët e Kosovës do të përballen me reduktime të rrymës për një periudhë më të gjatë. Sipas vendimit për “Masat e emergjencës në furnizimin e energjisë” parashihet që reduktimet të vazhdojnë maksimalisht edhe për 60 ditë. Fjalën përfundimtare për gjendjen emergjente për energjinë do ta ketë Kuvendi i Kosovës, shkruan Reporteri.net.

    Sipas dokumentit masat emergjente në furnizim me energji përfshijnë vendosjen e kufizimeve në furnizim me energji për konsumatorët dhe vendosjen e obligimeve të veçanta për ndërmarrjet e energjisë.

    Qeveria poashtu përmes këtij vendimi ka vendosur edhe për themelimin e Komitetit Teknik Emergjent në kuadër të Ministrisë së Ekonomisë me qëllim të identifikimit dhe paraqitjes së rekomandimeve Ministres së Ekonomisë.

    Ky komitet do të përbëhet nga një përfaqësues i Ministrisë së Ekonomisë, një nga ZRRE, një nga KOSTT, një nga KEK-u, një nga KEDS, një nga KESCO, një nga Ministria e Industrisë, Ndërmarrësis dhe Tregtisë,  një përfaqësuese nga MPB-ja, një nga Komisioni për Miniera dhe Minerale dhe një anëtarë nga Autoriteti Kosovar i Konkurrencës.

    Ky Komitet në përputhje me Udhëzimin Administrativ Nr. 04/2017 mbi Rregullat për Masat Kufizuese të Furnizimit me Energji në Situata Emergjente, identifikon dhe rekomandon zbatimin e masave për t’i trajtuar efektet negative të rrethanave të krijuara, duke përfshirë: vendosjen e kufizimeve mbi aktivitetet komerciale që kanë të bëjnë me burime të caktuara të energjisë; vendosjen e kushteve të veçanta komerciale;  kufizimi i tregtimit të energjisë ose vendosjen e kushteve të veçanta për tregtimin e energjisë; te detyrojë prodhimin e energjisë që do të ndodhë në objekte të saktësuara të prodhimit; dhe të vendosë detyrime për furnizim me energji për konsumatorë të caktuar.

    Në arsyetimin e Qeverisë për këtë vendim thuhet se Kosova aktualisht është duke u përballur me vështirësi në sektorin e energjisë në Kosovë.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!