×
  • Lajme
  • Lajme

    Qeveria vendos “reciprocitet” ndaj Maqedonisë: Vetëm me test negativ mund të hyhet në Kosovë

    Reporteri
    13 Korrik 2020 | 14:19

    Qeveria e Kosovës sot ka mbajtur mbledhjen elektronike, ku ka miratuar disa masa të reja për luftimin dhe parandalimin e përhapjes së COVID-19.


    Me vendimin e ri të Qeverisë, shtetasit e Maqedonisë së Veriut, Malit të Zi e Bosnje e Hercegovinës, s’mund të hyjnë në Kosovë pa e pasur me vete vërtetimin se kanë rezultuar negativ në testimet për COVID-19.

    “Qeveria ka aprovuar edhe vendimin me të cilin obligohen të gjithë qytetarët e Republikës së Maqedonisë së Veriut, Malit të Zi, dhe Bosnje e Hercegovinës, që hyjnë në territorin e Republikës së Kosovës, duhet të dëshmojnë se nuk vuajnë nga COVID-19, me anë të vërtetimit që dëshmon testin RT-PCR negativ në Sars COV-2, jo më të vjetër se 72 orë nga koha kur paraqiten në kufirin e Republikës së Kosovës”, bëhet e ditur në vendimin e Qeverisë.

    Ditë më parë ministri i Shëndetësisë në Kosovë, Armend Zemaj, ka paralajmëruar reciprocitet ndaj Maqedonisë së Veriut dhe e ka quajtur vendimin e Maqedonisë të padrejtë.

    “Ne lëshuam lëvizjen e lirë për shtetet e rajonit. Maqedonia ka më shumë raste me ne por nuk kufizuam lëvizjen pasi edhe atje jetojnë një pjesë e madhe e shqiptarëve. Ne kishim një numër të madh të qytetarëve që shkuan në Shqipëri gjatë vikendeve. Atje disa qytetarë humbën jetën. Por kontrolli ishte i vështirë në pikat kufitare.”, pati deklaruar Zemaj.

    ndërkohë, nga ky vendim, përjashtohen të gjithë qytetarët e këtyre vendeve, gjatë hyrjes përmes Aeroportit Ndërkombëtar “Adem Jashari” nuk kanë nevojë të prezantojnë vërtetimin për test RT-PCR, por ata do të nënshkruajnë një deklaratë ku deklarohen se në afat prej 3 orëve do ta lëshojnë territorin e Republikës së Kosovës.

    “Edhe qytetarët e këtyre vendeve që shfrytëzojnë Aeroportin Ndërkombëtar “Adem Jashari” për udhëtim në vendet e treta, nuk kanë nevojë të prezantojnë vërtetimin për test RT- PCR”, thekson vendimi.

    Nga ky vendim përjashtohen edhe transportuesit që vijnë nga këto vende në Republikën e Kosovës.

    “Transportuesit që vijnë nga këto vende në Republikën e Kosovës nuk kanë nevojë të prezantojnë vërtetimin për testin RT-PCR, por janë të detyruar të respektojnë protokollet për transport ndërkombëtar”

    “Edhe transporti i organizuar me autobusë ose linja te rregullta ndërkombëtare në transit nga këto vende, nuk duhet të prezantojnë vërtetimin për testin RT-PCR, por ata nënshkruajnë deklaratën me të cilën obligohen të lëshojnë territorin e Republikës së Kosovës brenda 5 orëve”

    “Të liruar nga obligimi për prezantim të testit RT-PCR janë edhe diplomatët e huaj nga shtetet e lartë cekura që janë të akredituar në RKS, si edhe familjarët e tyre. Gjithashtu janë liruar nga prezantimi i testit RT-PCR të gjithë shtetasit e Malit të Zi, Maqedonisë së Veriut dhe Bosnje e Hercegovinës, të cilët kanë edhe shtetësinë e Republikës së Kosovës, nëse kanë vendbanim në Kosovë”, bëhet e ditur në vendimin e Qeverisë.

    Qeveria ka marrë vendim që prezantimin e vërtetimit për test RT-PCR negativ gjatë hyrjes në Republikën e Kosovës, të bërë më së largu para 72 orësh, janë të obliguar ta bëjnë shtetasit e Malit të Zi, Maqedonisë së Veriut dhe Bosnjë dhe Hercegovinës që kanë të rregulluar leje qëndrimin e përkohshëm ose të përhershëm në Republikën e Kosovës. Po ashtu dhe ata që kanë të caktuar termine për mjekim në institucione shëndetësore të RKS-së dhe bartësit e dokumenteve personale të lëshuara nga Republika e Kosovës mirëpo me adresë vendbanimi në njërin nga shtetet e cekura në këtë vendim.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!