QKUK-ja vazhdon të jetë e “blinduar”, shtohet numri i policëve

Janë shtuar pjesëtarët e Njësisë Speciale të Kosovës, të cilët po qëndrojnë me armë të gjata thuajse në çdo cep të QKUK-së.


Ata po e sigurojnë këtë zonë për shkak të një kërcënimi me sulme në siptalet e Kosovës.

Nga Policia kanë thënë për Reporterin se ky institucion me kohë ka ndërmarrë masat parandaluese dhe të sigurisë, pas sigurimit të një informate që ndërlidhet me kanosje.

Sipas Policisë përderisa janë ndërmarrë të gjitha masat policore, situata vlerësohet e qetë dhe nuk ka vend për asnjë shqetësim nga ana e qytetarëve.

“Policia e Kosovës është institucion i zbatimit të ligjit dhe trajton ç’do informacion apo rast të raportuar, të ç’farëdo natyre apo vepre penale.

Të gjitha veprimet e nevojshme i ndërmerr konform autorizimeve ligjore në bashkëpunim dhe koordinim me institucionet kompetente, me qëllim të ofrimit të sigurisë, parandalimit të veprimtarive kriminale si dhe ruajtjes së rendit dhe qetësisë publike në vend.

Policia e Kosovës me kohë ka ndërmarr masat parandaluese dhe të sigurisë, pas sigurimit të një informate që ndërlidhet me kanosje, përderisa janë ndërmarrë të gjitha masat policore, situata vlerësohet e qetë dhe nuk ka vend për asnjë shqetësim nga ana e qytetarëve”, thuhet në përgjigjen e Policisë.

Ndryshe përpos Prishtinës, masa të rrepta po zbatohen edhe në veri të Mitrovicës, ku që nga mëngjesi i sotëm, pjesëtarët e Policisë së Kosovës janë duke bërë kontrolle të rrepta për automjetet që hyjnë në zonën e Qendrës Spitalore në Mitrovicën e Veriut. /Reporteri.net