×
  • Lajme
  • Lajme

    Ragip Xhaka zgjedhet kryetar i degës së PDK-së në Zvicër, është babai i këtyre dy lojtarëve të njohur shqiptarë

    Reporteri
    14 Maj 2022 | 18:54

    Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, bashkë me bashkëpunëtorë, ka qëndruar sot në Aargau të Zvicrës, ku u mbajt Kuvendi Zgjedhor i Degës së PDK-së. PDK sot ka zgjedhur edhe anëtarët e Këshillit Drejtues ku Ragip Xhaka, babai i Taulant dhe Granit Xhakës, është zgjedhur kryetar i degës në Zvicër.

    Gjatë fjalimit të tij, Krasniqi falënderoi bashkatdhetarët për pritjen madhështore duke thënë se mërgatën tonë dhe origjinën e Partisë Demokratike, e filluan para 30 vitesh Hashim Thaçi e Kadri Veseli.

    “Qysh para gati 30 vitesh tashmë, pikërisht këtu në Zvicër, liderët tanë Hashim Thaçi e Kadri Veseli, bashkë me ju e shumë atdhetarë të tjerë si ju, kanë qenë duke punuar ditë e natë, për ta ngritur UÇK-në e përmes saj, lirinë e Kosovës. Prandaj, ne nuk harrojmë të shprehim respektin e thellë dhe mirënjohjen e përjetshme për kontributin tuaj të jashtëzakonshëm në arritjen e lirisë dhe ngritjen e shtetit tonë të pavarur”, tha ai.

    Krasniqi tha se mërgata ndër vite është bërë për shtyllë për shoqërinë duke ndihmuar ekonominë e Kosovës dhe duke ndërtuar fizionominë e saj.

    “Por, çka është më e rëndësishmja, ju e keni sjellë edhe Kosovën në Zvicër. Xhaka, Shaqiri, Behrami e shumë sportistë e artistë të tjerë, sot i bëjnë nder secilit kosovar, secilit shqiptar kudo që është, me kontributin e tyre në zhvillimin e sportit, artit e kulturës, e fushave të tjera këtu në Zvicër. Po ashtu, plot ndërmarrës e biznesmenë të suksesshëm që janë bërë shembull i punës e përkushtimit në Zvicër, na nderojnë edhe neve në Kosovë”, shtoi Krasniqi.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!