×
  • Lajme
  • Rajon

    Abazoviç pret mbështetjen e 46 deputetëve për kryeministër të Malit të Zi

    Reporteri
    20 Prill 2022 | 17:24

    Mali i Zi mund të bëhet shumë shpejt me një qeveri të re. Këtë e njoftoi i mandatuari për formimin e ekzekutivit të ri, Dritan Abazoviç, njëherësh dhe udhëheqës i Lëvizjes Qytetare URA.

    Gjatë një konference për shtyp në Podgoricë, ai tha se ka njoftuar Kuvendin e Malit të Zi për marrëveshjen e arritur për zgjedhjen e qeverisë së re. Abazoviç bëri të ditur se kabineti i tij do të ketë mbështetjen e 46 deputetëve nga 81 sa ka gjithsej Parlamenti i Malit të Zi.

    Abazoviç, i cili pritet të jetë në rolin e kryeministrit, nuk zbuloi përbërjen e kabinetit të ri, por vetëm tha se do të ketë 20 ministra dhe 4 nënkryetarë.

    Qeveria do të përbëhet nga Lëvizja Qytetare URA, Partia Popullore Socialiste, e cila është pro serbe, Partia Socialdemokratike dhe partitë kombëtare të shqiptarëve dhe boshnjakëve. Por, do të ketë dhe mbështetje parlamentare nga Partia Demokratike e Socialistëve të Presidentit Milo Gjukanoviç.

    Seanca për votëbesimin e qeverisë pritet të mbahet javën e ardhshme.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!