Deputetët e koalicionit qeverisës dhe nëntë deputetë të Partisë Popullore Socialiste nënshkruan nismën për riformatimin e Qeverisë malazeze, e cila bazohet në gjashtë parime politike, shkruan Gazeta Online Reporteri.net.
Dokumenti është hartuar pas mbledhjes së sotme të drejtuesve të mazhorancës së vjetër parlamentare, të formuar pas zgjedhjeve të gushtit 2020.
Në këto gjashtë pika thuhet:
1. Qeveria dhe shumica parlamentare do të forcojnë më tej luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar në të gjitha nivelet;
2. Qeveria dhe shumica parlamentare do të zbatojnë reformën zgjedhore dhe do të bëjnë të gjitha përgatitjet për zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare sa më shpejt që të jetë e mundur;
3. Qeveria do të intensifikojë reformat ekonomike me qëllim përmirësimin e standardit të jetesës së popullsisë dhe drejtimin e fokusit politik të saj kryesisht drejt temave socio-ekonomike;
4. Qasje e përbashkët për zgjidhjen e çështjes së zgjedhjes së Këshillit Gjyqësor, anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese dhe Prokurorit të Lartë të Shtetit dhe fillimin e një dialogu intensiv me opozitën parlamentare për këto çështje me qëllim të krijimit të konsensusit sa më të gjerë;
5. Qeveria mbetet maksimalisht e përkushtuar për ruajtjen e kursit të politikës së jashtme, integrimin evropian, bashkëpunimin rajonal, si dhe përafrimin e plotë të politikës së jashtme me politikën e jashtme të Bashkimit Evropian, duke respektuar të gjitha detyrimet dhe kontratat e marra ndërkombëtarisht;
6. Qeveria dhe shumica parlamentare shprehin gatishmërinë për të vendosur një moratorium për të gjitha çështjet identitare që përçajnë shoqërinë ose për të cilat nuk është e mundur të arrihet një konsensus më i gjerë shoqëror në këtë kohë, deri në zgjedhjet parlamentare.
https://reporteri.net/lajme/rajon/live-seanca-per-rrezimin-e-qeverise-rinis-pas-pauzes-disa-oreshe-abazoviq-me-plan-per-riformatimin-e-qeverise-se-malit-te-zi/