×
  • Lajme
  • Rajon

    DASH: SHBA do të mbështesë çdo qeverisje demokratike, pro-perëndimore në Mal të Zi

    Reporteri
    20 Gusht 2022 | 19:07

    Departamenti amerikan i Shtetit tha se vota për rrëzimin e qeverisë së Malit të Zi, përbënte demokraci parlamentare në veprim, përmes së cilës populli i Malit të Zi mban qeverinë përgjegjëse nëpërmjet përfaqësuesve të zgjedhur.

    Komenti ishte në përgjigje të një kërkese të Zërit të Amerikës për një koment lidhur me mocionin e mosbesimit ndaj qeverisë së kryeministrit Dritan Abazovic.

    “Shtetet e Bashkuara presin që Mali i Zi të ndjekë procedurat ligjore ose për formimin e shpejtë të një qeverie të re në shërbim të vendit, ose për thirrjen e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare”, tha një zëdhënës i Departamentit të Shtetit.

    “Shtetet e Bashkuara do të mbështesin çdo qeveri të formuar në mënyrë demokratike, e cila siguron përparimin e Malit të Zi në rrugën euro-atlantike, që përfshin përshpejtimin e anëtarësimit në BE, luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, rritjen e rolit në NATO, një shoqëri gjithëpërfshirëse dhe me orientim qytetar, dhe që vazhdon të mbajë përgjegjëse Rusinë për luftën e saj brutale kundër Ukrainës”, vazhdon reagimi.

    Në përgjigje të pyetjes së shërbimit serb të Zërit të Amerikës, nëse Shtetet e Bashkuara do të mbështesnin përfshirjen e partisë pro-ruse Fronti Demokratik, në një qeveri të re, zëdhënësi rikonfirmoi qëndrimin ndaj kësaj force.

    “Siç e kemi thënë më parë, Shtetet e Bashkuara nuk e shohin Frontin Demokratik si partner sepse ai nuk mbështet vlerat evropiane, përfshirë faktin që nuk e ka dënuar agresionin e Rusisë kundër Ukrainës dhe nuk ka treguar udhëheqje apo vullnet për të bërë përparim në reformat kyçe të nevojshme për anëtarësimin në BE”, tha zëdhënësi. /voa

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!