×
  • Lajme
  • Rajon

    ​Rama: Dikur më bëtë hero, sot tradhtar – Ballkani i Hapur është interes strategjik i krejt kombit shqiptar

    Reporteri
    20 Dhjetor 2021 | 18:35

    Kryeministri Edi Rama i është përgjigjur një komentuesi në facebook, lidhur me praninë e flamujve të Serbisë, në kuadër të vizitës së Presidentit Vuçiq, në Bulevardin Dëshmorët e Kombit.

    Komentuesi i shkruan Ramës se flamuri i krimeve, masakrave e përdhunimeve, është ngritur sot në Tiranë.

    “E vërteta është se ditën që unë vizitova Beogradin, kryeqyteti i Serbisë ishte i mbushur me flamuj shqiptarë dhe huliganët që e dogjën një flamur u arrestuan nga policia; e vërteta është se në Beograd unë flas shqip dhe mbroj interesat e të gjithë shqiptarëve dhe të Shqipërisë natyrisht; e vërteta është se në Beograd unë kam kërkuar shqip njohjen e Kosovës nga Serbia, mu në Pallatin Presidencial të Serbisë dhe atëherë ju më bëtë hero, por nuk isha hero atëherë e nuk jam tradhëtar tani, thjesht isha e jam kryeministri i Shqipërisë; e vërteta është se Ballkani i Hapur është jo vetëm e ardhmja e fëmijëve të krejt rajonit, po edhe interes strategjik i Shqipërisë e i krejt kombit shqiptar; e vërteta është se e vërteta vonon po nuk harron dhe nesër edhe ti do mendosh si unë sot, ndërsa turpin do ta mbajnë ata që e kanë, jo unë e qeveria ime, që kemi mbështetjen e shqiptarëve për të punuar, zhvilluar e për të duruar edhe baltën e lopatave të vjetra të politikës shqiptare” -shkruan Rama.

    Tirana është dekoruar me flamuj të Serbisë dhe të Maqedonisë Veriore, për t’i pritur aty dy bashkëpunëtorët e Edi Ramës në “Ballkanin e Hapur”, presidentin serb, Aleksandër Vuciq dhe kryeministrin e dorëhequr maqedonas, Zoran Zaev.

    Ish-kryeministri Sali Berisha ka thirrur protestë për ta kundërshtuar shkuarjen e Vuciqit në Tiranë. Disa prej pjesëmarrësve i kanë vënë flakën dhe kanë shkelur me këmbë një flamur të Serbisë. Pas këtij veprimi ata kanë bërë thirrje kundër Serbisë dhe kundër nismës së Ballkanit të Hapur.

    Për “Ballkanin e Hapur” deri më tani janë të përfshira vetëm Serbia, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut. Të gjithë qeveritë dhe kryeministrat e Kosovës që kanë qenë në detyrë prej fillimit të këtij projekti, kanë qenë kundër tij.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!