Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, u është adresuar qytetarëve serbë ku, ndër të tjera, foli për vendimin e kryeministrit Kurti për ta emëruar Nenad Rashiq, Ministër për Komunitete dhe Kthim në Qeverinë e Republikës së Kosovës. Kurtit, ia dha epitetin “terrorist”.
Sipas presidentit serb, ky vendim dëshmon se kryeministri synon zhdukjen e pakicave serbe në Kosovë, raporton Danas, përcjell Gazeta Online Reporteri.net.
“Zgjedhja e Rashiqit, njeriut që ka fituar më pak se 1 për qind, si dhe Rada Trajkoviqit, e cila ishte në listën e tij, tregon se ata [Kosova] duan persekutimin, dëbimin dhe zhdukjen e serbëve në Kosovë”, ka thënë Vuçiq.
“Zgjodhën llumrat më të këqij serb, nga fundi i kovës, Rashiqin dhe Rada Trajkoviqin, nuk ka më keq, që nuk kanë besimin e askujt në Serbi, por kanë besimin e Albin Kurtit dhe Perëndimit”.
Vuçiq shtoi se reagimi i Bashkimit Evropian ndaj këtij vendimi shpërfaq “një qëndrim antiserb”, dhe se ajo që ka bërë “llumi terrorist Albin Kurti” meriton dënim.
Presidenti foli edhe për Samitin e Bashkimit Evropian dhe Ballkanit Perëndimor që do të mbahet në Tiranë, me ç’rast tha se do ta bojkotojnë.
“Askush nga Serbia nuk do të jetë në Tiranë dhe ata të shkojnë, të udhëtojnë me avion, të flasin marrëzi e marrëzi, të gjithë nga Evropa dhe Ballkani Perëndimor”, tha Vuçiq.
Lista Serbe e ka kundërshtuar fuqishëm emërimin e Rashiç në pozitën e Ministrit për Komunitete dhe Kthim përçka edhe ka lajmëruar se çështjen do ta dërgojnë në Gjykatën Kushtetuese.
Gjithashtu, i ashtuquajturi drejtor i një zyreje të vetëquajtur “për Kosovën” në qeverinë serbe, Petar Petkoviç, ka reaguar për emërimin e Rashiç, të cilin e quajti “kukull të Albin Kurtit” që “punon kundër interesave të serbëve të Kosovës”. /Reporteri.net/.
Lista Serbe do t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese për emërimin e Nenad Rashiç’it ministër