×
  • Lajme
  • Rajon

    Zyrtari i lartë i Qeverisë së Maqedonisë së Veriut dyshohet për keqpërdorim të detyrës zyrtare

    Reporteri
    08 Prill 2022 | 13:46

    Të premten Prokuroria Publike Themelore për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, ka bërë të ditur se nga gjykata ka kërkuar t’i shqiptohet masë arresti një zyrtari të lartë të shtetit, nën dyshimet për keqpërdorim të detyrës zyrtare.

    Ai dyshohet se gjatë periudhës, prill 2021 – janar 2022, duke e shfrytëzuar pozitën zyrtare pa zbatuar procedurë përkatëse për furnizim publik, ka nënshkruar marrëveshje për shërbime konsulence me person juridik, për të cilën vepër me paramendim është ndihmuar nga dy shtetas kroatë, raporton Radio Evropa e Lirë.

    Hetimi, të cilin e ka filluar Prokuroria Publike Themelore për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit kundër një funksionari të lartë, mësohet se ka të bë jë me sekretarin e përgjithshëm të Qeverisë së Maqedonisë së Veriut, Muhamed Zekiri.

    “Me veprimet e ndërmarra, të dyshuarit, për kompaninë kanë siguruar pasuri pronësore të kundërligjshme në vlerë prej 57.932.100,00 denarësh, në dëm të buxhetit të RMV-së. Kjo vlerë që ishte më e madhe se 795.000 euro nga vlera e dakorduar për kryerjen e shërbimeve konsulente”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë Publike Themelore për ndjekje të krimit të Organizuar dhe Korrupsionit.

    Ndryshe, vendimi për shërbimet konsulente është marrë më herët në një seancë të Qeverisë, por jo në shumën që e ka nënshkruar Zekiri.

    Prokurorja për krim të organizuar, Vilma Ruskovska, për mediat në Maqedoninë e Veriut ka thënë se është në dijeni se ku kanë përfunduar mjetet e fituara në mënyrë të paligjshme, ndërsa ka shtuar se dy shtetasit kroat tashmë nuk gjenden në Maqedoninë e Veriut.

    I menjëhershëm ka qenë reagimi i opozitës maqedonase, VMRO-DPMNE. Kryetari i kësaj partie, Hristian Mickoski, ka thënë se ndihet i indinjuar se si pasojë e veprimeve të këtilla, zvogëlohet numri i popullsisë, përkatësisht të rinjtë e braktisin vendin.

    “Një Rashkovski zëvendësohet me një Rashkovski tjetër”, ka thënë Mickoski.

    Ndryshe, Muhamed Zekiri ishte zgjedhur sekretar i përgjithshëm në nëntor të vitit 2020, pas shkarkimit të Dragi Rashkovskit nga ky post, pas aferës për shpërdorim të pozitës zyrtare në prokurimin publik lidhur me një tender në vlerë prej një milion eurosh.

    Muhamed Zekiri ka punuar si gazetar para se të zgjidhej deputet në zgjedhjet e parakohshme të vitit 2016 në listën e Lidhjes Social Demokrate të Maqedonisë, që në atë kohë drejtohej nga Zoran Zaevi, i cili i bëri publike bisedat e përgjuara ku ishin të përfshirë në afera korruptive zyrtarë të lartë të shtetit gjatë qeverisjes së ish-kryeministrit Nikolla Gruevski.

     

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!