Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, ka thënë se Prishtina është pa buxhet prej më shumë se gjysmë viti, teksa e ka cilësuar këtë si bllokadë të qëllimshme e hakmarrje politike nga ana e Qeverisë në dytyrë, shkruan Reporteri.net.
Rama ka thënë se çerdhet dhe kopshtet nuk kanë më fonde për të siguruar ushqim për fëmijët, programet sociale janë bllokuar, familjet në nevojë, personat me aftësi të kufizuara, të moshuarit, artistët dhe sportistët kanë mbetur pa asnjë mbështetje institucionale.
“Rreziku është alarmant dhe prek të gjitha shërbimet jetike në Kryeqytet: qendrat e kujdesit shëndetësor dhe transporti publik rrezikojnë shërbimin dhe arsimi parashkollor është në vështërsi. Të gjitha shërbimet jetike janë prekur nga bllokada e qeverisë”, ka shkruar Rama.
Rama ka thënë se kjo është një ndalesë “e jashtëligjshme e motivuar politikisht”, teksa ka shtuar se janë bllokuar edhe të hyrat vetanake të komunës.
“Ky është një akt i paprecedent dhe i papranueshëm që i shndërron qytetarët në pengje të një kalkulimi politik. Një bllokadë e tillë administrative, e motivuar nga interesa elektorale për zgjedhjet lokale të 12 tetorit, ka tejkaluar çdo kufi të arsyes, etikës dhe përgjegjësisë njerëzore e institucionale. Kryeqyteti po ndëshkohet sepse nuk qeveriset nga strukturat qendrore të pushtetit aktual”, ka shkruar tutje Rama.
Rama ka thënë se do të përdorim çdo mjet ligjor dhe institucional për të mbrojtur qytetarët tanë nga kjo “padrejtësi flagrante dhe luftë e ulët politike”.
“Ky nuk është vetëm detyrimi ynë institucional. Është detyrimi ynë moral”, ka shkruar Rama./Reporteri.net