Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama sot gjatë ditës ka takuar udhëheqës të policisë me të cilët ka diskutuar detajet për organizimin e drejtorisë së re e cila do të funksionojë në kuadër të Drejtorisë Rajonale të Policisë së Prishtinës, shkruan Gazeta Online Reporteri.net.
Në një postim të bërë në Facebook, Rama ka thënë se janë gati për formimin e policisë së kryeqytetit.
“Gjatë takimit theksuam rëndësinë e bashkëpunimit të ngushtë mes Kryeqytetit dhe Policisë, veçanërisht për të adresuar sjelljet që dëmtojnë jetën publike, duke u fokusuar në intensifikimin e masave ndaj atyre që hedhin mbeturinat jashtë vendeve të caktuara dhe parkojnë mjetet e tyre duke penguar kompaninë “Pastrimi” të kryejë shërbimin, dhe ndaj atyre që parkojnë makinat në mënyra që pengojnë qarkullimin dhe qetësinë publike”, ka shkruar mes tjerash Rama.
Postimi i plotë:
👮Gati jemi me formimin e policisë së Kryeqytetit.
Jemi në rrugë të mbarë për të finalizuar procedurat për Strukturimin e Policisë së Kryeqytetit, një hap tepër i rëndësishëm për të rritur sigurinë dhe mirëqenien në qytetin tonë.
Sot, në një takim me udhëheqësit kryesorë të Policisë së Republikës së Kosovës, Drejtorin e Përgjithshën, Gazmend Hoxha, Drejtorin e Policisë për Rajonin e Prishtinës, Basri Shabani dhe Drejtorin e Departamentit të Operacioneve në Polici, Arbnesh Ajvazin, diskutuam detajet për organizimin e drejtorisë së re e cila do të funksionojë në kuadër të Drejtorisë Rajonale të Policisë në Prishtinë.
Gjatë takimit theksuam rëndësinë e bashkëpunimit të ngushtë mes Kryeqytetit dhe Policisë, veçanërisht për të adresuar sjelljet që dëmtojnë jetën publike, duke u fokusuar në intensifikimin e masave ndaj atyre që hedhin mbeturinat jashtë vendeve të caktuara dhe parkojnë mjetet e tyre duke penguar kompaninë “Pastrimi” të kryejë shërbimin, dhe ndaj atyre që parkojnë makinat në mënyra që pengojnë qarkullimin dhe qetësinë publike.