Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama ka deklaruar se më shumë se 2000 mijë persona kanë përfituar subvencion nga kryeqyteti për trajtimin e sëmundjeve të rënda. E kjo sipas Ramës, është në rritje prej 20 për qind më shumë në krahasim me vitin 2022.
Derisa bëri të ditur se kërkesat e qytetarëve pranohen gjatë gjithë vitit dhe të njëjtat do të shqyrtohen nga komisioni profesional.
“Më shumë se 2000 persona vitin e kaluar, kanë përfituar subvencion nga Kryeqyteti për trajtimin e sëmundjeve të rënda, kjo i bie një rritje prej 20% më shumë në krahasim me 2022-ën. Sot punëtorët e zellshëm të Sektorit të Shërbimit me Qytetarë, janë mbingarkuar nga kërkesat e qytetarëve për subvencionimin nga Drejtoria e Shëndetësisë për sëmundjet malinje dhe kronike të rënda. Në lidhje me këtë, ju njoftoj se kërkesat e juaja pranohen GJATË GJITHË VITIT dhe ato do t’i shqyrtojë komisioni profesional”.
“Ne jemi të vetëdijshëm se jetesa me një sëmundje kronike sjell sfida të mëdha, jo vetëm shëndetësore, por edhe financiare. Qëllimi ynë është të sigurojmë që të mos ndiheni të vetmuar në këtë luftë dhe të ofrojmë një dorë ndihme aty ku është më e nevojshme”, shtoi Rama në Facebook.