Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama është sqaruar në lidhje me projektin e paraparë për t’u ndërtuar për Lojërat Mesdhetare.
Ai përmes një postimi në Facebook tha se fontana nuk do të preket dhe do të mbetet në zemër të lagjes.
“Fontana dhe hapësira përreth saj nuk do të preken! Fontana mbetet në zemër të lagjes, aty ku ka qenë gjithmonë. Simbol e krenari e Ulpianës”, shkroi Rama.
Kryetari theksoi se i gjithë ky është një propozim, dhe se nëse banorët e Ulpianës nuk e duan, nuk do të ecin përpara.
Postimi i plotë:
SQARIM PËR BANORËT E “ULPIANËS”
Fontana dhe hapësira përreth saj nuk do të preken! Fontana mbetet në zemër të lagjes, aty ku ka qenë gjithmonë. Simbol e krenari e Ulpianës.
Parkimi bëhet nën tokë, nën zonën e fontanës. Kjo do të krijonte më shumë vende parkimi, ndërsa hapësirat ku sot parkohen kerret do t’ua kthenim banorëve me më shumë gjelbërim e fusha sportive.
Objekti i banimit propozohet vetëm nëse nevojitet për Lojërat Mesdhetare “Prishtina 2030”. Konviktet nuk kanë kapacitet për të gjithë sportistët dhe stafin shoqërues. Për këtë arsye është menduar një objekt akomodimi pa destinim komercial, në harmoni me arkitekturën e lagjes. Pas Lojërave, hapësira mbetet per banorët!
KREJT KJO ËSHTË PROPOZIM. NËSE BANORËT E ULPIANËS NUK E DUAN, NUK ECIM PËRPARA.
Fillimisht e diskutojmë me juve! Pastaj, nëse ka mbështetje, propozimi shkon për votim në Kuvendin Komunal, te përfaqësuesit që i keni zgjedhë ju!
Ky plan është në shërbim të qytetarëve dhe për të vendosim bashkë me ju.