Ish-kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, ka reaguar lidhur me mënyrën e prezantimit dhe respektimit të Deklaratës së Pavarësisë dhe portretit të presidentit historik, Ibrahim Rugova.
Përmes një postimi në Facebook, Hoti ka thënë se këto dy simbole nuk janë dekor, por përfaqësojnë themelet mbi të cilat qëndron Republika e Kosovës.
“Deklarata e Pavarësisë dhe portreti i Presidentit Rugova nuk janë dekor që vendoset e hiqet sipas shijeve”, shkroi ai.
Ai ka theksuar se respektimi i simboleve shtetërore dhe protokollit shtetëror nuk duhet të jetë në diskrecionin e asnjë zyrtari.
Sipas Hotit, është e domosdoshme që me ligjin për protokollin e simboleve shtetërore të përcaktohet qartë mënyra e prezantimit dhe respektimit të Deklaratës së Pavarësisë dhe portretit të Ibrahim Rugovës, në mënyrë që të shmangen ndryshimet e bëra nga zyrtarë të ndryshëm.