Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, pas takimeve me krerët e shtetit dhe kryetarët e partive në Kosovë në një konferencë për media ka folur për aktakuzën e ngritu nga Gjykata Speciale ndaj presidentit Hashim Thaçi dhekreut të PDK-së, Kadri Veseli.
Ai ka thënë se nuk ka ardhur në Prishtinë për të bashkuar liderët, por për të dëgjuar opinionet e tyre pas zhvillimeve të fundit.
“Unë nuk erdha për të bashkuar të gjitha partitë politike, apo të gjithë udhëheqësit e tyre në një tryezë, sepse e para kjo s’është detyra ime, dhe e dyta ky do të ishte një kapërcim i kuadrit etik brenda të cilit sipas meje duhet të veprojë një kryeministër i Shqipërisë kur vjen fjala për Kosovën, apo një kryeministër i Kosovës kur vjen fjala për Shqipërinë.
Asnjëherë nuk kam menduar mirë për këdo që duke bërë rolin e kryeministrit është përpjekur t’iu tregojë të tjerëve në shtetin tjetër se çfarë duhet të bëjnë dhe si duhet ta bëjnë.
Shqipëria e ka detyrim të mbështesë Kosovën pa kushte dhe cilido që është në rolin e kryetarit të qeverisë në Shqipëri duhet të jetë mishërim i këtij detyrimi, por Shqipëria as nuk e ka as nuk do ta marrë përsipër detyrën e kujdestarit apo tutorit, mentorit që nga larg i tregon udhëheqësisë në Kosovë se çfarë duhet të bëjë”, tha Rama, shkruan Reporteri.net.
“Unë nuk erdha për të realizuar bashkimin mes forcave politike si personi që kam detyrën dhe kapacitetin për ta bërë këtë, por për të dëgjuar nga të gjithë (nuk mund ta bësh një tryezë ku ulen të gjithë), sy me sy hapur opinionin e tyre, këndvështrimin e tyre, dhe natyrisht nuk mendojnë njëjtë në këtë situatë, dhe për të pasur një sens real të realitetit politik sipas opinioneve që përfaqësojnë këtu pjesë të caktuara të shoqërisë”, tha Rama. /Reporteri.net/.