×
  • Lajme
  • Lajme

    Rama uron 4 protagonistët në tryezën e Ohrit: Të shpresojmë që marrëveshja e dakorduar s’është një mashtrim tjetër ballkanik

    Reporteri
    19 Mars 2023 | 8:26

    Kryeministri Edi Rama ka reaguar pas negociatave në Ohër të Maqedonisë së Veriut, mes kryeministrit të Kosovës Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë Aleksandër Vuçiç, të cilat zgjatën për rreth 12 orë.

    Përmes një postimi në rrjetet sociale, Rama u shpreh se pati një marrëveshje, por nuk kishte nënshkrim. Ndaj, ai shpreson që kjo të mos jetë një tjetër mashtrim ballkanik.

    “Le të shpresojmë që djalli të mos fshihet në detaje sonte dhe që marrëveshja e rënë dakord por e pa nënshkruar të mos jetë një tjetër mashtrim ballkanik! Përndryshe kjo do të ishte një arritje historike që do të shpallte një pranverë të shumëpritur në marrëdhëniet mes dy kombeve më të mëdha të Ballkanit’, shkroi Rama në Twitter.

    Tutje, Rama në një postim tjetër i ka uruar katër protagonistët e tryezës në Ohër.

    “Dhe le t’i urojmë sinqerisht katër protagonistët e tryezës së sotme të Ohrit, duke uruar që së shpejti marrëveshja e panënshkruar të kthehet në një realitet të ri të pakthyeshëm mes Kosovës dhe Serbisë, shqiptarëve dhe serbëve, Ballkanit Perëndimor dhe Bashkimit Evropian”.

    Shefi i diplomacisë së Bashkimit Evropian, Josep Borrell deklaroi se pas 12 orësh bisedime, Kosova dhe Serbia kanë arritur marrëveshje për propozimin evropian.

    “Kosova dhe Serbia janë pajtuar për zbatimin e aneksit të marrëveshjes për rrugën drejt normalizimit të raporteve mes tyre”, tha ai, duke iu referuar propozimit evropian që palët e pranuan më 27 shkurt në Bruksel.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!