Kryetari i komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci, ka reaguar pas lajmit Labinot Gruda, i arrestuar rreth avullimit të 2 milionë eurove nga Ministria e Financave vjen nga kjo komunë.
Reporteri.net ka publikuar edhe fotografi të të dyshuarit me Lladrovcin, e ky i fundit e ka përfshirë edhe sqarimin për këtë fotografi në reagimin e tij.
“Lajm befasues se është paraburgosur ish drejtori i liruar nga departamenti i Buxhetit dhe Financave, për gati 9 muaj në komunën e Drenasit. Puna e tij në komunën tonë, gjatë vitit 2018, ka qenë e lidhur me përvojën e tij në Ministrinë e Financave, ndërsa ndërprerja e marrëdhënies së punës në Komunë, ka qenë për shkaqe personale.”, thotë ai.
“Fotografia ime e publikuar nëpër media bashkë me z. Gruda, është fotografi gjatë dëgjimeve buxhetore, pra, nuk është e lidhur me aktivitetet partiake. Lidhja e emrit të tij me punën në komunë gati nëntëmujore në Drenas dhe si anëtar i PDK-së, është e pavërtetë. Nga dita e largimit të tij nga komuna, ai nuk kishte asnjë qasje profesionale as përgjegjësi. Besimi ndaj organeve të gjurmimit, hetimit dhe zbatimit të drejtësisë, është e paluhatshme!”, shton ai.
https://www.facebook.com/rlladrovci/posts/10221812624778837
Theksojmë se dy milionë euro janë transferuar nga Thesari i Shtetit në llogarinë e një kompanie private me emrin LDA Group Shpk, në pronësi të Kadri e Valon Shalës.
Për këtë skandal është arrestuar një punëtor i Thesarit të Kosovës, Labinot Gruda anëtar i PDK-së, i cili dyshohet se ka bërë transferimin e 2,077,995 milionë eurove përmes katër transaksioneve të ndryshme, në adresë kompanisë, LDA Group Shpk, me bazë në Llapushnik.
Anëtari i PDK-së Labinot Gruda ia ka mundësuar anëtarit të NISMA’s që t’i marrë dy milionë eurot nga Theasri i Republikës së Kosovës.
Pronarët e kësaj kompanie Valon Shala edhe Kadri Shala janë në arrati, shkruan Reporteri.net.
Policia ka njoftuar zyrtarisht se të martën në mbrëmje, pas hetimeve të zhvilluara, është arritur të arrestohet një i dyshuar derisa dy të tjerë gjenden në arrati. Bëhet fjalë për Labinot Grudën, ku pos pronës së tij në Komoran, është bastisur edhe banesa në Prishtinë dhe i është konfiskuar një veturë e tipit Audi A4, shkruan Reporteri.net.
“LDA Group” është kompania të cilës iu transferuan paratë, pronë e Valon Shalës, sipas të dhënave publike të cilat figurojnë në Agjencinë për Regjistrimin e Bizneseve të Kosovës (ARBK).
Valon Shala, bashkë me familjarin e tij Kadri Shala janë në arrati për të njëjtin rast që u arrestua sot Gruda, shkruan Gazeta Online ‘Reporteri.net’.
Kompania ka bazën në Komunën e Drenasit, konkretisht në fshatin Llapushnik të kësaj komune.
Bazuar në të dhënat e publikuara në ARBK, kompania “LDA Group” është regjistruar si biznes më 21 gusht të vitit 2019.