Pas PDK-së, edhe AAK-ja i është përgjigjur pozitivisht ftesës së Presidentes Vjosa Osmani për takim të enjten për bllokadën e krijuar në Kuvend.
Kjo është konfirmuar për Gazetën Online Reporteri.net nga zëdhënësi i AAK-së, Kushtrim Xhemaili.
“Po, kryetari Ramush Haradinaj do të marrë pjesë në takimin e thirrur nga Presidentja”, tha Xhemaili për Reporteri.net.
Presidentja Osmani e cila kishte shprehur gatishmëri edhe javën e kaluar për takim me krerët e partive politike, i ka ftuar ata për të enjten e 15 majit në ora 13:00.
Përgjigje pozitive për këtë takim pati fillimisht nga PDK-ja.
Lajmin për Gazetën Online Reporteri.net e konfirmoi zëdhënësi i PDK-së, Faton Abdullahu.
“Po, Kryetari Memli Krasniqi ka pranuar ftesën për takim nga Presidentja Vjosa Osmani. Na vjen mirë që, ashtu siç ka propozuar PDK, po ndërmerren hapa institucionalë që shpresojmë se mund të jenë ndihmues për të dalë nga kriza politike dhe për të hapur rrugën drejt krijimit të institucioneve të reja. Kryetari Krasniqi do të merr pjesë në takim, me shpresën që të gjitha partitë të marrin pjesë me konstruktivitet dhe duke e vendosur interesin e qytetarëve në radhë të parë. Kosova ka nevojë për institucione të reja sa më parë.”, ka thënë Avdullahu për Reporteri.net.
/Reporteri.net/