Raporti i Human Rights Watch për Kosovën, përmendet gjykimi i parë i Speciales

Organizata ndërkombëtare Human Rights Watch ka publikuar raportin vjetor për të drejtat e njeriut në Kosovë dhe për shtete të tjera të botës.

Raporti filloi me nisjen e gjykimit të parë në Gjykatën Speciale në Hagë si dhe me rastin e parë të dënimit për përdhunim gjatë luftës së fundit në Kosovë.

Human Rights shkruan se në shtator, Dhomat e Specializuara për Kosovën kanë filluar gjykimin e parë për krime lufte. Aty thuhet se i pandehuri është ish-komandanti i njësisë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Salih Mustafa, i cili akuzohet për vrasje, torturë, trajtim mizor dhe ndalim arbitrar, gjatë luftës së vitit 1999 në Kosovë.

Kjo organizatë e quan vendim historik, kur Gjykata Themelore në Prishtinë e dënoi me burgim ish-policin serb, Zoran Vukotiq, për dhunë seksuale të kohës së luftës dhe përfshirje në dëbime me forcë në vitin 1999. Vukotiq u dënua me 10 vjet burg.

“Në mars, Policia e Kosovës arrestoi një shqiptar të Kosovës me shtetësi serbe, nën dyshimin për krime lufte kundër popullatës civile, gjatë një operacioni të forcave serbe në vitin 1999, në të cilin u vranë 147 civilë”.

“Gjithashtu në mars, Gjykata Themelore në Prishtinë dënoi dy ish-oficerë policie, Zlatan Krstiq dhe Destan Shabanaj, për përfshirjen e tyre në një sulm të vitit 1999, ku u vranë katër anëtarë të një familjeje shqiptare. Ata janë dënuar me katërmbëdhjetë vjet e gjysmë, përkatësisht shtatë vjet burgim”, thuhet në raport në pjesën e krimeve të luftës.

Tutje, kritikohet Organizata e Kombeve të Bashkuara, pasi thuhet se nuk ka financuar dhe as nuk ka kërkuar falje ndaj disa pjesëtarëve të komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian, pasi raportohet se kanë qenë viktima të helmimit në disa kampe për persona të zhvendosur, të cilat ishin ngritur nga Misioni i Kombeve të Bashkuara në Kosovë (UNMIK).

Human Rights Watch shkruan se diskriminimi ndaj romëve, ashkalive dhe egjiptianëve në Kosovë mbetet akoma problem.

Në atë pjesë përmendet edhe rasti i gjykimit për vrasjen e politikanit serb Oliver Ivanoviq.

“Ndjekja penale e gjashtë të pandehurve të akuzuar për vrasjen e politikanit serb të Kosovës Oliver Ivanoviq, në vitin 2018, vazhdoi në Gjykatën Themelore në Prishtinë me aktakuzën e konfirmuar në maj dhe gjykimin që filloi në korrik, pas vonesave në vitin 2020. Katër të pandehur akuzohen se kanë qenë pjesë e një grupi kriminal që organizoi vrasjen e Ivanoviqit”.

Në pjesën e të drejtave të grave raportohet se të mbijetuarat e dhunës në familje vazhdojnë të përballen me pengesa për mbrojtje nga abuzimi. Thuhet se shteti nuk është duke reaguar mjaftueshëm dhe se ka pak ndjekje penale për këto raste.

Në këtë raport shkruhet edhe për azilkërkuesit dhe personat e zhvendosur, ku thuhet se gjatë nëntë muajve të parë të vitit 2021, Komisionari i Lartë i Kombeve të Bashkuara për Refugjatë ka regjistruar 261 kthime vullnetare të pjesëtarëve të pakicave etnike në Kosovë nga vendet e tjera.

Ndër të tjera, një pjesë i është kushtuar edhe respektimit të të drejtave në bazë të orientimit seksual dhe identitetit gjinor.

“Qendra për Barazi dhe Liri e komunitetit (LGBT) në Kosovë, në tetor, ka shprehur shqetësimin për hetimet joadekuate për kërcënimet dhe gjuhën e urrejtjes kundër personave dhe aktivistëve LGBT, veçanërisht në mediat sociale”.

Human Rights shkruan edhe për lirinë e mediave, ku përmenden 18 raste të kërcënimeve, të frikësimit dhe dhunës ndaj gazetarëve dhe mediave.

“Njëri prej rasteve ka të bëjë me sulmin ndaj gazetarit të gazetës Insajderi, Visar Duriqi, i cili u sulmua fizikisht në Prishtinë, në shkurt, nga tre sulmues të panjohur. Sulmi besohet të jetë i lidhur me raportimin e tij. Duriqi pësoi thyerje të hundës dhe thyerje të dhëmbëve nga sulmi. Policia ishte ende duke hetuar në momentin e shkrimit”.

Ndërkaq, për pjesën e raporteve ndërkombëtare shkruhet për arritjen e marrëveshjes për targat mes Kosovës dhe Serbisë, si dhe për zhvillimet në veri të vendit.