×
  • Lajme
  • Lajme

    Rasti i parë me Coronavirus në Pejë, po gjurmohen kontaktet e gruas së infektuar

    Reporteri
    26 Mars 2020 | 19:58

    Kryetari i Komunës së Pejës, Gazmend Muhaxheri ka thënë se rasti i parë i infektuar me COVID-19 në këtë komunë, është një grua nga fshati Llugaxhi.


    Në një bisedë telefonike Muhaxheri ka deklaruar se ende nuk janë identifikuar kontaktet që gruaja nga fshati Llugaxhi ka pasur me njerëz të tjerë. Megjithatë, kreu i Komunës së Pejës është shprehur se gruaja në fjalë është vendase, e nuk ka ardhur nga jashtë vendit.

    “Kemi informatat e para. Llugaxhia është fshati i fundit në kufi me Komunën e Klinës. Tash janë duke u marrë drejtoria e Shëndetësisë për kontaktet që i ka pasur kjo zonja me njerëzit e tjerë aty. Tash është duke u bërë identifikimi se ku ka qenë ajo, sepse ajo është vendase e fshatit Llugaxhi”, ka deklaruar Muhaxheri.

    I pyetur lidhur me vendimet e Qeverisë së Kosovës për menaxhimin e krizës me koronavirus, Muhaxheri ka deklaruar se këto vendimet “janë duke u zbatuar diçka”.

    “Janë duke u zbatuar diçka [vendimet] dhe sa munda me e vërejt që në orën 16:00 ka pasur lëvizje të madhe të qytetarëve, shkaku i nevojave për ushqim”, është shprehur ai. “Ne, si komunë, jemi duke shpërndarë ndihma për familjet nevojtare”, tha ai për insajder.

    Muhaxheri ka nënvizuar se Komuna e Pejës është e përgatitur mirë në sektorin e shëndetësisë, si dhe personeli shëndetësor i kësaj komune, sipas tij, është i pajisur me të gjitha elementet e nevojshme në këtë gjendje emergjente shëndetësore.

    “Ne kemi siguruar në mënyra të ndryshme dorëza dhe maska për punëtorët e administratës dhe për personelin shëndetësor. Diçka kemi marrë prej qeverisë, disa të tjera si komunë”, ka thënë Muhaxheri.

    Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik ka njoftuar se sot janë konfirmuar edhe tetë raste të reja me koronavirus.

    Përmes një komunikate drejtuar mediave, IKSHP-ja ka bërë me dije se katër prej këtyre rasteve janë raste kontakti me vendbanim në Studime të Ulët në Vushtrri, tri raste me vendbanim në Prishtinë dhe një rast kontakti me vendbanim në Llugaxhi të Pejës.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!