Sot janë bërë njëzet e pesë vjet nga vrasjet në “Panda” në Pejë. Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka vizituar sot lokalin ku u vranë të rinjtë serbë, shkruan Reporteri.net.
“25 vjet nga sulmi terrorist i Serbisë në lokalin “Panda” në Pejë. Më 14 dhjetor 1998, autoritetet serbe inskenuan vrasjen e të rinjëve serb në kafiterinë “Panda” në Pejë. Serbia i vrau gjashtë të rinj serb, të moshave 14, 16, 17, 18 dhe 24 vjeç, në përpjekjen e regjimit të Millosheviqit për të justifikuar spastrimin etnik dhe gjenocidin në Kosovë. Pas këtij rasti, më shumë se 150 shqiptarë u arrestuan në Pejë. Më 17 dhjetor 1998, u arrestuan edhe Agron Kollçaku, Behar Bajri, Beqir Loxha, Gazmend Bajrami, llaznim Pergjegjaj dhe Xhevdet Bajrami. Më i madhi prej tyre ishe 22 vjeç, ndërsa më i riu 17”, shkroi Kurti në Facebook.
Kurti, thotë se ata u burgosën në Pejë, ku u torturuan në mënyra ҫnjerëzore.
“Në qershor 1999, me rreth 400 të burgosur të tjerë, u dërguan në burg në Leskovc të Serbisë. Në nëntor 1999, gjykata në Serbi i shpalli të gjashtit të pafajshëm. Ata u dënuan me nga një vit burg për shkelje të rendit publik. Një muaj më pas, me ndërmjetësimin e organizatave ndërkombëtare, pesë nga ta u liruan. Behar Bajri u mbajt në burg deri më 6 dhjetor 2000. Përderisa të rinjtë shqiptarë të burgosur padrejtësisht ende i vuajnë pasojat e torturave brenda burgjeve serbe, në Serbi ende askush nuk është dënuar për këtë rast. Prindërit e të vrarëve kanë kërkuar që Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, të dëshmojë lidhur me deklaratat e tij. Ai kishte thënë se “krimi në “Panda” nuk është bërë nga shqiptarët”. Shteti i Serbisë vazhdon të fshehë të vërtetën për vrasjen e të rinjëve serb edhe pas një ҫerek shekulli. Sikurse vazhdon të mos pranojë krimet e kryera ndaj shqiptarëve gjatë luftës 1998-99”, shkroi tutje kryeministri Kurti.
Kurti shton se kjo heshtje flet për mendësinë e pandryshuar politike të Serbisë karshi Republikës së Kosovës.
“Dëshmon për lidhjen e ngushtë mes mosnjohjes të së kaluarës së saj kriminale dhe mosnjohjes së pavarësisë sonë”, përfundoi Kurti.
Mbrëmjen e 14 dhjetorit të vitit 1998, rreth orës 20:00, dy persona të maskuar hynë në kafene dhe gjuajtën me breshëri plumbash mbi ata që ishin brenda.
Të vrarë në vend mbetën: Ivan Radeviq, 25 vjeç, Ivan Obradoviq, 14 vjeç, Vukota Gvozdenoviq, 16 vjeç, dhe Dragan Trifoviq, 17 vjeç.
Po atë natë, si pasojë e plagëve të marra, në spital vdiqën: Svetisllav Ristiq, 18 vjeç, dhe Zoran Stanojeviq, 17 vjeç./Reporteri.net