Reagon Albulena Haxhiu: Ish-ministri Zemaj për mospunën e tij po tenton ta bëjë përgjegjës Arben Vitinë

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu ka reaguar pas një hulumtimi të publikuar dje rreth procesit të sigurimit të vaksinave.


Haxhiu ka thënë se tendenca për të njollosur punën dhe angazhimin e Ministrit Vitia është asgjë tjetër veçse tendencë për rrezikimin e jetës së qytetarëve me anë të publikimit të dokumenteve konfidenciale.

Ajo ka akuzuar ish-Ministrin, Armend Zemeja për mospunën e tij  po tenton ta bëjë përgjegjës Ministrin Vitia.

“Tendenca për të njollosur punën dhe angazhimin e Ministrit Vitia është asgjë tjetër veçse tendencë për rrezikimin e jetës së qytetarëve me anë të publikimit të dokumenteve konfidenciale. Me interpretime qëllimshëm të devijuara nuk mund të shpaloset realiteti. E kuptoj plotësisht punën e medieve, por nuk mund të quhet “punë medie” nëse publikon diqka që rrezikon furnizimin me vaksina.

I lus mediet e gazetarët që kanë qëllime të mira që të jemi bashkë në këtë përpjekje me qëllim të shpëtimit të jetëve të qytetarëve tanë. Sigurimi i vaksinave është top prioritet dhe për këtë po angazhohet ditë e natë Qeveria.

Ne jemi në situatë të tillë për shkak neglizhencës e menaxhimit të keq nga Qeveria e kaluar, ish Ministri i së cilës sot tenton që për mospunën e tij ta bëjë përgjegjës Ministrin Vitia. Jo, qytetarët tashmë e kanë kuptuar se kush dhe për çfarë angazhohet!, shkruan Haxhiu.

Ndryshe, Prokuroria Themelore në Prishtinë ka autorizuar policinë e Kosovës që të iniciojë rast në drejtim të veprës penale “Zbulim të fshehtësisë zyrtare” pas konferencës së djeshme të mbajtur nga ministri Shëndetësisë, Arben Vitia.