Organizata GERMIN që u përmend në aktakuzën e Prokurorisë Speciale ndaj ministrit në detyrë të Zhvillimit Rural, Fikrim Damka dhe një zyrtari tjetër të kësaj ministrie për dyshimet për keqpërdorim 1 milonësh të buxhetit shtetëror, ka reaguar duke thënë se përmendja e emrit të tyre është e padrejtë, e pabazuar dhe e dëmshme.
Sipas tyre GERMIN nuk ka pasur dhe nuk ka kurrfarë marrëdhënie kontraktuale apo financiare me Ministrinë e Zhvillimit Rajonal (MZHR).
“GERMIN kundërshton fuqishëm përmendjen e padrejtë dhe të pabazuar të emrit të saj në njoftimin për aktakuzën e bërë publike nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, ndaj Ministrit të Zhvillimit Rajonal, z. Fikrim Damka, dhe zyrtarit të kësaj ministrie me inicialet B.K.. Në komunikatën e Prokurorisë thuhet, me ose pa qëllim, se kinse organizata jonë ka përfituar mjete financiare nga Ministria e Zhvillimit Rajonal (MZHR) në kundërshtim me procedurat ligjore për financimin e organizatave joqeveritare. Kjo përmendje e GERMIN-it është e pavërtetë, e dëmshme dhe në kundërshtim me legjislacionin e aplikueshëm në Kosovë.”, thuhet në reagimin e tyre.
Kjo organizatë thotë se përmendja e emrit të tyre në një aktakuzë penale ndaj një zyrtari publik, “pa asnjë përfshirje të drejtpërdrejtë, financiare apo kontraktuale me institucionin në fjalë, është një akt që dëmton padrejtësisht reputacionin tonë institucional dhe profesional, të ndërtuar me mund dhe integritet ndër vite”.
Reagimi i plotë:
Lidhur me përmendjen e emrit të organizatës sonë në njoftimin për aktakuzën ndaj Ministrit të Zhvillimit Rajonal të Republikës së Kosovës
GERMIN kundërshton fuqishëm përmendjen e padrejtë dhe të pabazuar të emrit të saj në njoftimin për aktakuzën e bërë publike nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, ndaj Ministrit të Zhvillimit Rajonal, z. Fikrim Damka, dhe zyrtarit të kësaj ministrie me inicialet B.K..
Në komunikatën e Prokurorisë thuhet, me ose pa qëllim, se kinse organizata jonë ka përfituar mjete financiare nga Ministria e Zhvillimit Rajonal (MZHR) në kundërshtim me procedurat ligjore për financimin e organizatave joqeveritare. Kjo përmendje e GERMIN-it është e pavërtetë, e dëmshme dhe në kundërshtim me legjislacionin e aplikueshëm në Kosovë.
Me këtë rast, njoftojmë opinionin publik se:
▪ GERMIN nuk ka pasur dhe nuk ka asnjë marrëdhënie kontraktuale me Ministrinë e Zhvillimit Rajonal (MZHR);
▪ GERMIN nuk ka përfituar asnjëherë mbështetje financiare nga MZHR;
Ne konsiderojmë se përmendja e emrit të organizatës sonë në një aktakuzë penale ndaj një zyrtari publik, pa asnjë përfshirje të drejtpërdrejtë, financiare apo kontraktuale me institucionin në fjalë, është një akt që dëmton padrejtësisht reputacionin tonë institucional dhe profesional, të ndërtuar me mund dhe integritet ndër vite.
GERMIN është dhe mbetet një organizatë e pavarur – e specializuar në angazhimin e diasporës në Kosovë dhe rajon. Veprimtaria jonë financiare dhe programore auditohet rregullisht dhe në mënyrë periodike, nga auditorë të brendshëm dhe të jashtëm, dhe auditimet e tilla publikohen në mënyrë transparente.
Ftojmë mediat dhe publikun që të referohen në faktet dhe deklaratat zyrtare të organizatës, dhe të shmangin shpërndarjen e informacionit të pasaktë. Në të njëjtën kohë, u bëjmë thirrje institucioneve përkatëse që të trajtojnë me kujdes maksimal përmendjen organizatave të shoqërisë civile në procese të ndjeshme gjyqësore, për të mos cenuar pa të drejtë integritetin e tyre.
GERMIN do të vazhdojë të kontribuojë me përgjegjësi, pavarësi dhe transparencë në fuqizimin e lidhjeve ndërmjet diasporës dhe atdheut. Me punën tonë ne kemi ndikuar direkt në përmirësimin e imazhit dhe avancimin e pozicionit të Kosovës në arenën ndërkombëtare. Përmes rrjeteve, profesionistëve dhe të rinjve të diasporës, kemi arritur ta prezantojmë Kosovën në mbi 26 shtete dhe të krijojmë përmbajtje pozitive në mbarë botën. Konferencat, forumet dhe aktivitetet tjera që ne kemi organizuar kanë fuqizuar qytetarët, organizatat e shoqërisë civile, sektorin privat si dhe institucionet publike.