Kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka dënuar sulmin me armë zjarri në drejtim të veturës së gazetarit të Gazetës Online “Reporteri.net” Shkumbin Kajtazi.
Haradinaj përmes një postimi në Facebook thotë se sulmi i dytë ndaj gazetarit Shkumbin Kajtazi, pas kërcënimeve të vazhdueshme ndaj tij, është lajm i keq për vendin tonë.
Haradinaj ju bën thirrje organeve të sigurisë të merren më seriozisht me mbrojtjen e gazetarëve, veçanërisht atyre hulumtues.
“Liria nuk është e plotë pa të drejtën e fjalës. Sulmi i dytë ndaj gazetarit Shkumbin Kajtazi, pas kërcënimeve të vazhdueshme ndaj tij, është lajm i keq për vendin tonë.
Organet e sigurisë duhet të merren më seriozisht me mbrojtjen e gazetarëve, veçanërisht atyre hulumtues. Ata që po tentojnë që Kosovën ta paraqesin si një vend të pasigurt, ku cenohet fjala e lirë, përmes sulmeve qyqare, duhet të zbulohen dhe të ndërpritet veprimtaria e tyre shumë e dëmshme për vendin”, ka shkruar Haradinaj.
Edhe kryeministri Hoti ka kërkuar të zbardhet me prioritet sulmi me plumba ndaj gazetarit Kajtazi.
Kujtojmë se mbrëmjen e së shtunës, vetura e gazetarit të Gazetës Online “Reporteri.net”, Shkumbin Kajtazi, u bë cak i një sulmi me armë zjarri. /Reporteri.net/.