×
  • Lajme
  • Lajme

    Reagon Tërnava pas raportimeve të përfshirjes së vëllait të tij në një rrahje

    Reporteri
    21 Maj 2019 | 17:21

    Pas raportimit për një përleshje fizike që ka nodhur në fshatin Lismir të Fushë Kosovës dhe se në të janë të përfshirë familjarë të myftiut të Kosovës, Naim Tërnava, ka reaguar ky i fundit, duke mohuar se Zymer Tërnava është i vëllai i tij.


    Kryetari i Bashkësisë Islame të Kosovës, myftiu Naim Tërnava, ka mohuar se njëri nga vëllezërit e tij është përfshirë në këtë përleshje  fizike.

    Madje, përmes këtij reagimi myftiu i Kosovës mohon edhe ta ketë vëlla, të përmendurin në tekst, Zymer Tërnava, i cili ishte i përfshirë në rrahje dhe është arrestuar nga policia.

    Ky është reagimi i plotë dhe pa ndërhyrje i myftiut Naim Tërnava:

    “Shpifja e radhës. Shkrimin të cilin e botoi portali “Fakte plus” unë si myfti i Republikës deklaroj se është gënjeshtra e radhës drejtuar kundër meje. Asnjeri nga dy vëllezërit e mi nuk është i përfshirë në asnjë përleshje e as në këtë për të cilin informon opinionin portali” fakte plus”. Vëllau im nuk e ka emrin Zymer, ndaj kërkoj nga portali “fakte plus “që të kërkoi falje publike për këtë shpifje të radhës drejtuar kundër personalitetit dhe reputacionit tim. Nesër do të ngre padi kundër atyre të cilët u morën me këtë shpifje”, thuhet në reagimin e Myftiu Naim Tërnava.

    Sqarim i redaksisë FaktePlus

    Agjencia e Lajmeve FaktePlus,  gjatë ditës ka raportuar për një ngatërresë e cila ka ndodhur për motive krejt të ulëta dhe që ka mundur për pak të përfundojë edhe tragjikisht për dy familje nga fshati Lismir i Fushë Kosovës.

    Në këtë fshat ditën e diel kishte ndodhur një rrahje e mandej edhe kërcënime me armë, për çka janë detyruar të intervenojnë njësitet policore për të ndaluar më të keqën, me c’rast edhe janë arrestuar pesë persona.

    Agjencia e Lajmeve FaktePlus thekson se e gjithë ngjarja në fjalë për të cilën është raportuar është e vërtetë. Redaksia e FaktePlus kërkon falje vetëm për atë që u tha se Zymer Tërnava është vëllai i myftiut Naim Tërnava. Kjo sepse, vetëm pas reagimit edhe kemi kuptuar se i përfshiri në rrahje dhe i arrestuari, Zymer Tërnava, nuk është vëlla, por  familjar i afërt myftiut.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!