Kosova do të aplikojë për t’u anëtarësuar në Bashkimin Evropian, ka lajmëruar të marten Kryeministri i Kosovës, Albin Kurit, një proces ky që merr vite nëse jo dekada dhe që varet nga normalizimi i marrëdhënieve me Serbinë, shkruan “Reuters”, përcjell gazeta online Reporteri.net.
Kosova me shumicë shqiptare shpalli pavarësinë e saj nga Serbia me mbështetjen e Perëndimit, pas luftës së viteve 1998-1999 ku intervenoi NATO-ja për të mbrojtur territorin.
Kosova nuk është anëtare e Kombeve të Bashkuara dhe pesë shtete të BE-së, Spanja, Greqia, Rumunia, Sllovakia dhe Qipro refuzojnë t’ia njohin shtetësinë.
“Bashkimi Evropian është një vend paqeje, sigurie, barazie dhe prosporiteti dhe për këtë arsye Kosova e ka vendin e saj në këtë shtëpi të përbashkët si një vend që do paqen”, ka thënë Kurti në një seancë qeveritare.
Para se anëtarësimi i saj të mund të ketë sukses, Kosovës i duhet të arrijë një marrëveshje me Serbinë për normalizim të marrëdhënieve. BE tashmë është duke punuar për një ujdi që shpreson që palët të pajtohen brenda vitit.
Protestuesit serbë në veri të Kosovës kanë bllokuar rrugët kryesore pas një shkëmbimi zjarri me policinë pas arrestimit të një ish-polici serb mes tensioneve në rritje midis autoriteteve dhe pakicës serbe të Kosovës.
E marta shënoi ditën e katërt të bllokadave dhe protestuesit nuk kanë treguar asnjë shenjë se do të largojnë kamionët e mbushur me zhavorr dhe makineri të tjera të rënda nga rrugët kryesore.
Kurti ka kërkuar nga misioni paqeruajtës i NATO-s që të pastrojë rrugët.
Oficerët e policisë së BE-së me automjete të blinduara patrulluan afër postbllokut në fshatin Rudare afër qytetit të Mitrovicës, ndërsa në anën tjetër të barrikadës serbët vendas digjnin dru për t’u ngrohur ndërsa temperaturat ishin nën zero me borë sporadike.
Pavarësia e Kosovës është njohur nga rreth 110 vende, por jo nga Serbia, Rusia apo Kina, ndër të tjera.
Ka ngurrim për të zgjeruar BE-në mes 27 vendeve anëtare të saj, por pushtimi i Ukrainës nga Rusia i ka shtyrë ata t’i kushtojnë më shumë energji përmirësimit të marrëdhënieve me gjashtë vendet e Ballkanit, Shqipërinë, Bosnjë dhe Hercegovinën, Kosovën, Malin e Zi, Maqedoninë e Veriut dhe Serbinë.
Kosova është i vetmi vend në rajon që deri më tani nuk ka aplikuar për anëtarësim në BE.