Jeton Musliu, redaktor në RTK ka deklaruar të enjten përmes një postimi në Facebook se është përballur me presion për ta publikuar kronikën ku citohet mediumi boshnjak “Slobodna Bosna”, në të cilin përmes një burimi anonim, pa asnjë fakt atakohen dy media kosovare, ‘Nacionale’ dhe ‘Periskopi’, si të “lidhura me Serbinë”.
Në lidhje me këtë deklaratë të Musliut ka reaguar drejtori i RTK-së, Rilind Gërvalla.
Ai në një përgjigje për Kallxo.com, ka thënë se linkun e lajmit e ka dërguar, por nuk ka ushtruar presion që të botohet.
“Në RTK ka hierarki. Drejtori ka përgjegjësitë e veta programore për çdo sekondë që transmetohet. Linkun ia kam dhënë, pos asnjëherë s’i kam thënë bëje, as s’ka asnjë lloj presioni asnjëherë nga unë. Presioni ndaj redaktorëve është stisje dhe gënjeshtër. Ne nuk kemi debatuar. Lajmi i ‘Slobodna Bosna’ ka qenë publik. Mua më vjen keq që një i dënuar për shpifje vazhdoka të njëjtën gjë”, ka thënë Gërvalla.
Përndryshe, Gërvalla përmes një postimi në Facebook, të mërkurën e ka quajtur mediumin ‘Slobodna Bosna”, si serioz – përkundër se njihet për lajmet e rrejshme.
Ndryshe, shumë gazetarë të RTK-së janë distantuar nga lajmi sulmues i mediumit publik për dy mediat kosovare – pasi lajmi kishte shkelur të gjitha standardet gazetareske.
Në këtë situatë, juristja e medias, Flulura Kusari, ka thënë të enjten se nuk duhet të ketë asnjë procedurë disiplinore ndaj Jeton Musliut, pasi një gjë e tillë do të përbënte vepër penale.