Ministrja në detyrë e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, është lëshuar në sulme ndaj Odës Ekonomike të Kosovës pas paralajmërimit për protestën e nesërme ku do të bllokohen hyrjet kryesore të kryeqytetit, si kundërshtim ndaj vendimit të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë për daljen e bizneseve në treg të lirë të energjisë nga 1 qershori.
Rizvanolli ka akuzuar OEK se ka përhapur panik tek bizneset e qytetarët “me parashikime apokaliptike për inflacion e humbje të vendeve të punës, me qëllim që t’i bëjnë qytetarët pa dashje lobues të 1%-shit të kompanive që preken nga liberalizimi”, shkruan Reporteri.net.
“Kjo nuk është zgjidhje – kjo është zhvendosje e kostove të energjisë së 1%-shit më të fuqishëm të bizneseve të Kosovës që po preken prej liberalizimit tek familjet dhe 99%-shi i ndërmarrjeve të tjera më të vogla, por që nuk kanë zë kaq të fuqishëm”, ka shkruar Rizvanolli.
Ajo e ka cilësuar këtë edhe si shantazh ndaj institucioneve të vendit.
“Tani që panë që nuk mund të shantazhojnë institucionet e Republikës së Kosovës për të marrë vendime në favor të 1%-shit e në dëm të interesit publik, paskan planifikuar bllokim të rrugëve magjistrale. Bartja e problemin tek qytetarët duket se është e vetmja gjë për të cilën kanë vullnet”, thuhet në reagimin e saj.
Nëse kërkesat nuk plotësohen, Oda Ekonomike ka paralajmëruar protesta me kohëzgjatje deri në 4 orë dhe bllokim të plotë të hyrjeve në Prishtinë.
“Në mungesë të reagimit institucional: protesta do të vazhdojë çdo ditë, gjatë gjithë ditës, deri në reflektim dhe veprim konkret nga institucionet përgjegjëse”, thuhet në njoftim.
Pikat ku do të realizohet protesta janë: Veterniku – drejtimi për në hyrje të qytetit,Rrethi te Kazerma – drejtimi Fushë Kosovë – Prishtinë, Rrethi i Arbërisë – drejtimi Mitrovicë – Prishtinë,Vranjevci – Sharbanët – drejtimi Podujevë – Prishtinë.
Policia ka thënë se do të jetë e pranishme në terren dhe do të ndërmarrë të gjitha masat për mbajtjen e rendit dhe sigurisë publike, si dhe për menaxhimin e trafikut dhe orientimin e mjeteve në rrugë alternative.
“Kërkohet mirëkuptim nga qytetarët për vonesat e mundshme dhe sugjerohet shmangia e këtyre rrugëve gjatë orarit të protestës. Policia thekson se protesta është paralajmëruar në një periudhë të shkurtër dhe është zhvilluar takim koordinues me organizatorin, ku janë theksuar obligimet ligjore dhe kufizimet që ndalojnë bllokimin total të rrugëve. Ftojmë qytetarët që të respektojnë udhëzimet e zyrtarëve policorë në terren dhe të kontribuojnë në mbarëvajtjen paqësore të protestës dhe ruajtjen e sigurisë publike”, përfundon njoftimi./Reporteri.net