×
  • Lajme
  • Lajme / Ambasadori gjerman

    Rohde: Sa më shpejt të krijohet Asociacioni, aq më mirë – 100 për qind i sigurt që s’po bëjmë asgjë anti-kushtetuese

    Reporteri
    21 Nëntor 2023 | 16:07

    Ambasadori gjerman në Kosovë, Jorn Rohde ka thënë sot para mediave se Gjermania është një nga partnerët më të afërt të Kosovës dhe së bashku me BE kanë bërë shumë përpjekje për një zgjidhje të qëndrueshme, e këtu siç tha ai përfshihet themelimi i Asociacionit, shkruan Reporteri.net.

    Rohde është i sigurt se me propozimin e ri nuk po bëhet asgjë në kundërshtim me Kushtetutën e Republikës së Kosovës.

    Sipas tij, sa më shpejt që themelohet Asociacioni, aq më mirë do të jetë, derisa shtoi se “pastaj mund të bëjmë një hap të madh përpara në procesin e normalizimit me Serbinë”.

    “E dini, unë nuk po konfirmoj apo mohoj asgjë, vetëm dua të ritheksoj atë që themi gjithmonë. Gjermania është një nga partnerët më të afërt të Kosovës dhe ne së bashku me BE-në dhe me mbështetjen e plotë të lehtësuesit të BE-së kemi bërë shumë përpjekje që të ketë një zgjidhje të qëndrueshme, dhe zgjidhja përfshin themelimin e një Asociacioni të komunave me shumicë serbe. Dhe, kryeministri publikisht ka deklaruar se ky propozim i fundit i paraqitur nga BE-ja, është shkruar me kujdes sipas Kushtetutës së Kosovës, dhe jam 100 për qind i sigurt se nuk po bëjmë asgjë që është në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës. Kosova është shtet i pavarur dhe ne e mbështesim plotësisht Kosovën, dhe [Asociacioni] duhet të krijohet sa më shpejt aq më mirë dhe atëherë mund të bëjmë një hap të madh përpara në procesin e normalizimit me Serbinë”, u shpreh ai.

    Lidhur me Asociacionin foli gjatë ditës së djeshme edhe shefi i NATO-s, Jens Stoltenberg, i cili në konferencën e përbashkët me presidenten e vendit, Vjosa Osmani tha se themelimi i Asociacionit është një hap kyç në normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë.

    “NATO e mbështet edhe dialogun e lehtësuar nga BE-ja mes Prishtinës dhe Beogradit dhe të dyja anët duhet të angazhohen në mirëbesim. Mirëpres propozimet e fundit për themelimin e Asociaconit të komunave me shumicë serbe, ky do të ishte një hap kyç drejt normalizimit të marrëdhënieve, dhe drejt paqes afatgjate dhe të qëndrueshme në rajon”, tha shefi i NATO-s, Jens Stoltenberg në konferencën e përbashkët me presidenten e vendit, Vjosa Osmani./Reporteri.net/

    Stoltenberg: Themelimi i Asociacionit, hap kyç drejt normalizimit të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!