×
  • Lajme
  • Lajme

    Rrahja në nëndegën e PDK-së në Raushiq të Pejës, rasti nuk është raportuar në polici

    Reporteri
    05 Maj 2019 | 19:52

    Jo veç në Drenicë, por edhe në Pejë, Partia Demokratike e Kosovës po ka probleme në tubimet e saj. Një përleshje fizike së fundmi ka ndodhur në fshatin Raushiq të Pejës gjatë kuvendit zgjedhor të kësaj partie.


    Gjatë këtij kuvendi zgjedhor raportohet se një person ka sulmuar fizikisht bashkëfshatarët, duke hedhur karrige e duke sharë, përkundër që aty kishte edhe gra.


    Nga video dëgjohen edhe britma të grave ndërsa një nga personat thotë “mshele gojën”, kurse një tjetër “hekmi duart”.

    Edhe pse e gjithë ngjarja është xhiruar nga kamerat dhe kanë dalë videot, policia e Pejës thotë se ky rast nuk është raportuar tek ta.

    “Sa i përket gjendjes për 24 orë, tek ne nuk është raportuar për një rast të tillë. Nuk kemi qenë të njoftuar se është zhvilluar një tubim apo se ka pasur përleshje gjatë kohës kur ka ndodhur”, ka deklaruar Xhevat Ibraj zëdhënës i policisë rajonale të Pejës për Reporteri.net.

    Reporteri.net ka kontaktuar edhe zëdhënësin e Prokurorisë në Pejë, Shkodran Nikqi por ai ka thënë se ka qenë jashtë vendit dhe nuk ka informata.

    “Sapo hyra në kufi në Kosovë. Nuk kam informata. Sapo të mbërrijë në Pejë informohen dhe ju njoftoj lidhur me rastin”, ka deklaruar Nikqi për Reporteri.net.

    Kujtojmë se më 14 prill ndodhi një përleshje në nëndegën e PDK-së në Klinë të Epërme të Skenderajt, gjatë procesit të brendshëm të këtij procesi zgjedhor.

    Reporteri.net kishte raportuar në detaje se si kishte nisur ky incident.

    /Reporteri.net/.

     

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!