×
  • Lajme
  • Lajme

    Rreth 500 milionë euro shpenzuan mërgimtarët në Kosovë

    Reporteri
    23 Gusht 2021 | 11:13

    Bashkatdhetarët që kanë ardhur këtë verë në Kosovë, sipas hulumtimeve të bëra nga organizatat joqeveritare, kanë shpenzuar rreth 500 milionë euro.


    Sipas ekspertëve që i kanë bërë këto hulumtime, thuhet se të hollat e derdhura janë një infuzion për ekonominë e Kosovës, sidomos në rrethana të pandemisë.

    Kosova këtë vit ka shënuar numër rekord të bashkatdhetarëve që kanë vizituar vendin. Sipas Organizatës “Germin”, shpenzimet e tyre këtë sezon kanë qenë rreth 500 milionë euro.

    Lirim Krasniqi, nga Organizata joqeveritare “Germin”, organizatë kjo që merret kryesisht me çështje të diasporës, thotë se shpenzimet e bashkatdhetarëve gjatë sezonit të verës arrijnë shifrën e 500 milionë euro.

    Derisa sipas Krasniqit, numri i bashkatdhetarëve që kanë hyrë në Kosovë këtë sezon vere, është rreth 1 milion.

    “Konsiderojmë që vizitat e diasporës gjatë verës së këtij viti, kanë pasur një ndikim të jashtëzakonshëm në ekonominë e Kosovës. Sipas një vlerësimi që kemi bërë,por edhe nga organizata e tjera që bëjnë analiza të tilla, në rastin më të mirë, shifra që është derdhur në Kosovë mund të shkojë deri në 500 milionë euro. Kjo shifër e lartë është dhe infuzion për ekonominë e Kosovës, sidomos në rrethana të pandemisë kur disa biznise kishin regjistruar humbje të mëdha për shkak të mbylljes së përkohshme nga masat COVID-19”.

    Të dhënat e Policisë së Kosovës tregojnë se në muajin qershor numri i personave që kanë hyrë përmes transportit rrugor ka qenë rreth 1 milion e 900 mijë, në muajin korrik është rritur për 1milion e 33 mijë. Ndërsa, vetëm brenda 15 ditëve të muajit gusht në Kosovë kanë hyrë rreth 1 milion e 409 mijë persona.

    Në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari” numri i udhëtarëve në muajin korrik ishte mbi 340 mijë, krahasuar me periudhën e njëjtë kohore të vitit 2020, ka pasur rritje për 60 mijë e 433 udhëtarë.

    Në 15 ditë të muajit gusht janë realizuar 738 fluturime me rreth 92 mijë udhëtarë.

    Përveç shpenzimeve që diaspora e Kosovës bën gjatë sezonit të verës, çdo vit Kosova pranon remitenca.

    Vetëm vitin e kaluar mjetet e ardhura nga diaspora kanë kapur vlerën prej 980.1 milionë euro.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!