×
  • Lajme
  • Lajme

    Rrezarta Krasniqi: Vizita e Kurtit në SHBA ekskursion, i ka të mbyllura dyert në Shtëpinë e Bardhë

    Reporteri
    22 Maj 2022 | 21:00

    Autor: Blendi Gashi


    “Marrëdhëniet me aleatin tonë kryesor SHBA-në, për fatin e keq duket se janë ftohur pak në kohët e fundit. E për këtë përgjegjësia bie mbi kryeministrin Albin Kurti dhe kabinetin e tij qeveritarë të cilët me arrogancën e tyre kanë sjellur në këtë pikë raportet me SHBA-në.

    Është jashtëzakonisht shqetësuese për një shtet kur udhëheqësi i tij i ka të mbyllura dyert në Shtëpinë e Bardhë. Në këto rrethana Kryeministri Kurti, nuk arriti ta dëshmojë të kundërtën”. Kështu thotë deputetja e LDK-së, Rrezarta Krasniqi, në një intervistë për Gazetën Online “Reporteri.net”.

    Ajo thotë se gjatë qeverisjes së LDK-së nuk ka ndodhur që drejtuesi i shtetit të Kosovës të mos pritet në Shtëpinë e Bardhë.

    “Të kesh dyert mbyllur, nënkupton se je i pa dëshiruar”, thotë deputetja Krasniqi.

    Ajo në këtë intervistë flet edhe për aplikimin e Kosovës në Këshillin Evropian, poashtu për qeverisjen mbi 1-vjeçare të Kurtit, për dyshimet e përfshirjes në një aferë financiare në Slloveni të ambasadorit Martin Berishaj, për opozitarizmin e LDK-së, problemet në Degën e kësaj partie në Vushtrri, dhe për tema të tjera.

    Lexoni të plotë intervistën me deputeten e LDK-së, Rrezarta Krasniqi dhënë për Gazetën Online “Reporteri.net”:

     Kryeministri Albin Kurti po qëndron për vizitë në Amerikë. Si e keni parë ju këtë? Pse nuk e takoi presidenti Biden?

    Janë bërë rreth tri javë prej kur Kryeministri Albin Kurti ka udhëtuar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, por nuk ka arritur ta realizojë asnjë takim brenda Shtëpisë së Bardhë në Washington. Është jashtëzakonisht shqetësuese për një shtet kur udhëheqësi i tij i ka të mbyllura dyert në Shtëpinë e Bardhë. Në këto rrethana Kryeministri Kurti, nuk arriti ta dëshmojë të kundërtën. Krejt çfarë pamë nga ky udhëtim i tij, i cili më mirë do të përkufizohej si ekskursion, janë takimet me një mori biznesesh të famshme amerikane, disa politikanë të rangut jo të lartë, e shumë shqiptarë që jetojnë në Amerikë.

    Për dallim prej Kryeministrit Kurti, Kryeministrit të Greqisë, Kyriakos Mitsotakis iu bë pritje e rrallë në Washington. Ai fillimisht është pritur nga Presidenti Joe Biden në Shtëpinë e Bardhë, për të vazhduar më pas takimet tjera të nivelit të lartë. Vërtetë kjo situatë flet shumë edhe për marrëdhëniet me aleatin tonë kryesor SHBA-në, të cilat për fatin e keq duket se janë ftohur pak në kohët e fundit. E për këtë përgjegjësia bie mbi këtë Kryeministër dhe këtë kabinet qeveritarë të cilët me arrogancën e tyre kanë sjell në këtë pikë raportet me SHBA-në.

    Nuk ka ndodhur asnjëherë gjatë qeverisjes së Lidhjes Demokratike të Kosovës që drejtuesi i shtetit të mos pritet në Shtëpinë e Bardhë. Të kesh dyert mbyllur, nënkupton se je i pa dëshiruar. Unë nuk e shoh ndryshe këtë situatë. Por dua të mbes me shpresën se ai do të realizojë ndonjë takim në Shtëpinë e Bardhë përderisa vazhdon të qëndrojë atje. Ne nuk do të lejojmë që të zbehen marrëdhëniet tona miqësore të ndërtuara me dekada me SHBA-në, aleatin kryesor të Kosovës. Zëvendësimi i miqësisë me SHBA-në, nuk ka qenë kurrë në agjendën e Kosovës dhe nuk do të lejojmë që të futet, nëse dikush ka synime të tilla. Madje edhe nëse ka menduar dikush, ka gabuar rëndë. Ne do të angazhohemi maksimalisht për të kultivuar marrëdhëniet me SHBA-në, e cila na ndihmojë fillimisht për të arritur tek liria, e më pas edhe pavarësia e shtet-ndërtimi. Pa përkrahjen e tyre, gjakun e dëshmorëve dhe vizionin largpamës të Presidentit Historik Dr. Ibrahim Rugova, Kosova nuk do të ishte këtu ku është sot.

    Zëvendëskryeministrja e Kosovës, Donika Gërvalla e ka dorëzuar dosjen për aplikim në Këshillin Evropian. A pritni që shteti ynë të anëtarësohet në këtë organizatë të rëndësishme?

    Aplikimi për anëtarësim në selinë e Këshillit të Evropës, në Strasburg nuk mund të shihet si e arritur e kësaj qeverie, për shkak se kemi të bëjmë me rrethana reja gjeopolitike në rajon dhe botë pas invazionit ushtarak rus në Ukrainë. Në këtë kontekst, kushdo që do ishte në udhëheqje të vendit do të bënte të njëjtën, për të shfrytëzuar një momentum të tillë të përshtatshëm, që për shkak ka rrethanat e tensionuara në mes të Rusisë dhe Ukrainës. Ajo që duhet të dihet është se nuk ka përfunduar ky mision me procesin e aplikimit, institucionet e vendit në këtë rast këta që po duan t’i marrin meritat më të mëdha, duhet të angazhohen më shumë për të siguruar përkrahjen e nevojshme për anëtarësim në KE. E kjo nuk mund të bëhet pa lobim, për çka deri më tani ne nuk kemi parë as përpjekjen me të vogël nga kjo qeveri.

    Si e vlerësoni qeverisjen më shumë se 1-vjeçare të Kurtit? Cilën punë të tij e vlerësoni, dhe ku ka dështuar deri tani?

    E rrënuan ekonominë dhe i varfëruan qytetarët. Me pak fjalë ndoshta kështu mund të përkufizohej puna një vjeçare e Qeverisë Kurti, e cila i shkaktoj dëme të mëdha vendit nga paaftësia për të udhëhequr shtetin. Për fatin jo të mirë, pasojat po i vuan vetë populli. Pra flitet për një situatë jashtëzakonisht të rëndë ekonomike.  Asnjë investitor serioz nuk ka ardhur për gjatë kësaj kohe për të hapur kompani e krijuar vende të punës, çka do të ndikonte në përmirësimin e gjendjes ekonomike në vend. Kjo për faktin se Qeverisë Kurti i mungon strategji për të sjell investitor të ri në vend. E si pasojë e kësaj por edhe paaftësisë në qeverisje, ne çdo ditë e më tepër po rrezikojmë që të largohen edhe këta pak investitor të huaj që operojnë në vend. Dëme të mëdha u shkaktuan edhe në diplomaci, madje disa edhe të pariparueshme nga komunikimet skandaloze e amatoreske dhe diskurs jo adekuat diplomatik. Kemi stagnim të plotë në politikën e jashtme. Kosova nuk ka pranuar asnjë njohje të re nga viti 2021.

    Një temë që bëri bujë të madhe është raportimi për dyshime në përfshirje në një aferë financiare në Slloveni të ambasadorit Martin Berishaj. Si e shihni heshtjen e tij, dhe pse sipas jush nuk po e shkarkon Kurti?

    Në mesin e shumë skandaleve që ka prodhuar kjo qeveri është edhe ai me ambasadorin në Kroaci Martin Berishaj, i cili dyshohet të jetë implikuar në një skandal të madh financiar me mafinë energjetike të Serbisë. E akoma më i madh bëhet ky skandal kur Qeveria Kurti e mbron atë dhe nuk e shkarkon nga shërbimi diplomatik deri në zbardhjen e plotë të rastit. Pra, një qeveri që zotohej ta kishte në prioritet luftimin e krimit dhe korrupsionit, tani e mbron krimin, në një far forme janë shndërru në avokat të tij, ndonëse janë bërë disa javë që flitet për një skandal të tillë.

    A jeni pro tërheqjes së një përqindje të Trustit?

    E kam thënë edhe në Kuvendin e Republikës së Kosovës, se gjendja e qytetarëve është rënduar tej mase ekonomikisht pasi që ka munguar përkrahja e nevojshme nga ana e Qeverisë, andaj është i domosdoshëm lejimi i tërheqjes së kursimeve nga Fondi Pensional i Kursimeve Trusti të një shume të caktuar të parave, por pa e dëmtuar të ardhmen pensionale të qytetarëve, sepse dihet se ato para janë të destinuara për pleqëri.

    Sa jeni e kënaqur me opozitarizmin që po bën LDK-ja, ku jeni edhe ju deputete?

    LDK është dalluar me punë të mirë në qeverisje dhe dallohet me angazhimin e saj edhe në opozitë. Siç dihet roli ynë është për të mbikëqyrur punën e qeverisë në mënyrë që të parandalohen e keqja që mund t’i kanoset vendit nga drejtuesit e kësaj qeverie. LDK si parti institucionaliste, opozitarizmin e kryen me mjete dhe mënyrë demokratike.

    Në zgjedhjet e fundit nacionale dolët të tretët. A është LDK e përgatitur për zgjedhje të reja parlamentare dhe ku e shihni partinë tuaj?

    Lidhja Demokratike e Kosovës është e gatshme për të marrë pjesë në zgjedhje të reja parlamentare kurdo që ato vendosen të mbahen dhe jemi të bindur se do të dalim bindshëm fitues të tyre, ngaqë populli e ka kuptuar se çdo gjë që ka deklaruar Albin Kurti dhe Lëvizja Vetëvendosje para se të vinë në pushtet ka qenë vetëm mashtrim dhe asgjë tjetër, andaj për këtë do të marrin ndëshkimin e merituar.

    Për ju, më e pranueshme në të ardhmen një koalicion qeverisës me VV-në apo PDK-në?

    Për një situatë të tillë hipotetike, besoj se koalicioni për krijimin e institucioneve të reja, nuk do të jetë i nevojshëm me asnjë parti politike, as me VV-në dhe as me PDK-në. Përkrahja e qytetarëve ndaj LDK-së do të jetë masovike.

    Në media është raportuar për përplasje në Degën e LDK-së në Vushtrri, sidomos për krisje të raporteve tuaja me Xhafer Tahirin. Cila është e vërteta? Komunikoni me të apo jo?

    Aktualisht dega e LDK-së në Vushtrri ndodhet në një situatë jo të favorshme. Pra, problemet e brendshme janë evidente, por unë kam komunikim me të gjitha strukturat e LDK-së dhe besoj se shumë shpejtë do të kalojë edhe kjo gjendje.

    Për fund, si e keni parë qeverinë nën hije të PDK-së?

    Në këtë kohë dua të rezervohem me komente lidhur me çështjen në fjalë. /Reporteri.net/.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!