Vendimi i djeshëm i miratuar i Zyrës së Rregullatorit të Energjisë (ZRRE) për tarifat e reja të energjisë elektrike ka shkaktuar reagime të shumta.
Për këtë, partitë opozitare në vend kanë mbajtur sot një debat parlamentar lidhur me këtë çështje, para seancës plenare të rregullt që ishte paraparë të mbahej sot në Kuvend, debat ky që u përcjell me replika e kundër-replika të shumta, shkruan Gazeta Online Reporteri.net.
E pasi në fillim të seancës nuk ishin të pranishëm deputetët e partisë në pushtet, VV, Besnik Tahiri, shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, njëherësh iniciues i këtij debati, tha se kjo tregon papërgjegjësi.
“AAK nuk e ka lëshuar dje sallën, kemi nejt në sallë për të debatuar…sot, LVV e cila nuk është këtu, Grupi Paralamentar më i madh e injoron debatin mbi një çështje e cila ka një rendësi të jashtëzakonshme. Kjo tregon papërgjegjësi, kjo tregon ikjen nga debati, kjo tregon se kjo ka qenë e sinkronizuar me ZRRE”, tha Tahiri.
Për këtë reagoi shefja e GP të VV-së Mimoza Kusari-Lila, pasi erdhi në sallë, e ku tha se VV nuk ka marrë asnjë njoftim për të marrë pjesë në seancën e sotme ku po debatohet për rritjen e tarifave të energjisë elektrike.
“Ne nuk ishim në sallë sepse nuk morën asnjë njoftim për këtë seancë… ajo ishte mënyra se si e ftuat këtë debat”, theksoi Kusari-Lila.
Nga radhët e AAK-së reagoi edhe kryetari i kësaj partie, Ramush Haradinaj. Ai tha se është mirë që vendimi i ZRRE-së të ndalohet për një kohë, përcjell Reporteri.net.
“Është mirë të bëhet thirrje që vendimi i ZRRE që të pezullohet…besoj se ka hapësirë për një veprim të tillë”, shtoi Haradinaj.
Reagim pati edhe nga deputetët e PDK-së dhe LDK-së.
Kryetari i PDK-së Memli Krasniqi, gjatë fjalimit të tij në Kuvend tha se Qeveria po dëshiron t’ia falë mbi 100 milionë euro KEDS-it me mashtrimin se po i subvencionojnë qytetarët.
“Qeveria ikë nga përgjegjësia siç e kemi parë se kanë ikur prej ditës që e kanë marrë mandatin. Kjo ndikon tek përkeqësimi i jetës së qytetarëve. Kush i ka faj Kurtit që edhe votuesit që e kanë votuar po kërkojnë me ikë prej vendit. Prej paaftësisë së Qeverisë, Kurti po dëshiron me ia falë më shumë se 100 milionë euro KEDS, mashtrimi se po dëshirojnë t’i subvencionojnë qytetarët është mashtrim”, u shpreh Krasniqi në seancën e Kuvendit.
Teksa, deputetja e LDK-së Hykmete Bajrami theksoi se Qeveria e Kosovës i ka ndihmuar të pasurit dhe bizneset me subvencionimin e energjisë elektrike. Ajo tha se barrën e shtrenjtimit të rrymës e bartin 20% të qytetarëve, të cilët sipas saj, do ta paguajnë energjinë elektrike “për komplet sektorin e biznesit dhe 80% të amvisërive.
Bajrami tha se ky vendim është jashtëzakonisht diskriminues.
“Qeveria ka vendosur që t’i rris subvencionet në 90 milionë euro të hyra dhe pjesën tjetër kush do e bartë? Do e bartin sipas ZRRE-së 20% të qytetarëve të Kosovës të cilët shpenzojnë energji elektrike më shumë se 800 kËh në muaj. Do të thotë Qeveria me 90 milionë vendos me e subvencionu energjinë elektrike për krejt sektorin privat, për 80% të ekonomive familjare, dhe barrën prej 160 milionë eurove e lë te 20% e qytetarëve, ose 125 mijë familje”, tha ajo, shkruan Reporteri.net.
Debati i sotëm në Kuvend i thirrur për të diskutuar rreth rritjes së tarifave të energjisë elektrike është organizuar nga AAK-ja e cila ka mbledhur 40 nënshkrime, së bashku me deputetët e LDK-së dhe PDK-së.
Ndryshe, nga sot do të hyjnë në fuqi tarifat e reja të energjisë elektrike të cilat u miratuan të martën në mbledhjen e Bordit të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë (ZRRE).
Bordi i ZRRE-së ka aprovuar dje rritjen e çmimit të rrymës për konsumatorët që tejkalojnë konsumin mbi 800 kilovat.
Këto tarifa do mbesin deri në vitin 2023.
Konsumatorët e tarifës mbi 800 kilovat në orë do të kenë tarifën e lartë prej 12.5 cent për kilovat dhe 5.9 cent për tarifën e ulët.
Për konsumatorët që shpenzojnë deri në 800 kilovat në orë, tarifa e lartë do të jetë 7 cent, ndërsa ajo e ulët, 3 cent.
Nga data 1 tetor deri më 31 mars, në Kosovë aplikohet tarifa e ulët e rrymës, prej orës 22:00 deri në 07:00. Ndërsa, nga data 1 prill deri më 30 shtator, tarifa e ulët vlen nga ora 23:00 deri në 08:00.
Sipas ZRRE-së, bllok-tarifa nuk është diskriminuese pasi “zbatohet njëtrajtësisht për të gjithë konsumatorët”.
Për bizneset nuk do të ketë blloqe tarifore. /Reporteri.net/