×
  • Lajme
  • Lajme

    Rritja e vdekjeve dhe infektimeve me COVID, MSH-ja thonë se po e monitorojnë gjendjen – opozita: Jemi në situatë dramatike, diçka duhet bërë

    Reporteri
    24 Mars 2021 | 15:30

    Autor: Blendi Gashi 


    Shumë shtete të Evropës thuajse kanë rikthyer ashpërsimin e masave anti-Covid, shkaku i rritjes së infektimeve dhe vdekjeve. Rastet janë rritur ndjeshëm edhe në Kosovë, ashtu si edhe numri i vdekjeve. Megjithatë, vendi ynë vazhdon të jetë i “lirë” dhe pa ndonjë masë parandaluese për përhapjen e virusit, përjashto bizneset që mbyllin punën e tyre në ora 22:00. Vetëm në 24 orët e fundit në Kosovë, sipas IKSHPK janë regjistruar 17 vdekje nga COVID, derisa 781 persona kanë rezultuar pozitiv në testet SARS-COV-2, duke e çuar në 12 mijë e 808 numrin e kosovarëve aktiv të infektuar me Coronavirus.


    Kjo gjendje po monitorohet nga Ministria e Shëndetësisë, drejtimin e së cilës e ka rimarrë qysh të martën Arben Vitija, ministri që para një viti iu desh të përballet me situatën e krijuar pas shënimit të rasteve të para me Coronavirus në Kosovë dhe me mbylljen totale të vendit që nis kah mesi i marsit 2020 e vazhdoi për gati tre muaj.

    “Nuk është marrë asnjë vendim rreth ndonjë mase të re lidhur me COVID-19”, ka thënë të mërkurën Ministria e Shëndetësisë, për Gazetën Online ‘Reporteri.net’, përmes zyrës së saj për informim.

    “MSh është në monitorim të vazhduar të situatës epidemiologjike përmes institucioneve kompetente. Sigurisht, që do ta hartohet edhe Plani për luftimin e COVID-19. Para çfarëdo vendimi për ndonjë masë, publiku do të informohet me kohë dhe në mënyrë transparente”, thuhet në përgjigjen e Ministrisë së Shëndetësisë.

    Nga ana tjetër, Valbon Krasniqi, drejtor i Shërbimit Spitalor Universitar të Kosovës, i pyetur rreth mundësisë së vendosjes së masave të reja anti-COVID, ka thënë se nuk ka pranuar ndonjë ftesë për takim nga Ministria e Shëndetësisë.

    “Nuk kemi ftesë për ndonjë takim”, ka deklaruar ai për Reporteri.net.

    Krasniqi, vetëm një javë më parë, kishte paralajmëruar se SHSKUK-ja mund të ballafaqohet me mbingarkesë të kapaciteteve për trajtimin e pacientëve me COVID në spitalet në Kosovë.

    Qëndrimi i opozitës…

    Dramatike gjendjen me COVID-19 në Kosovë po e sheh një ish-Ministër i Shëndetësisë.

    Imet Rrahmani i LDK-së ka thënë se si mjek, rekomandon se Qeveria e Kosovës duhet fokusuar në masa që garantojnë respektimin e tri masave bazë në mbrojtje nga virusi derisa nuk e kemi vaksinën.

    Ish-ministri i Shëndetësisë nga Lidhjes Demokratike e Kosovës, thekson se diçka duhet bërë. S’është i prerë nëse duhet kthyer masat e rrepta të izolimit, por thotë se duhet ndjekur shembujt e vendeve tjera.

    “Ne s’kemi rrugë shumë, të ndjekim shembujt e vendeve tjera, kaq”, ka thënë Rrahmani për Gazetën Online ‘Reporteri.net’.

    “Ndërsa politika i ka edhe disa parametra të tjerë që duhet ti rivlerësoj në kohë reale. Tash për tash situata është dramatike, diçka duhet bërë”, thotë ai.

    “Rastet pozitive po shtohen, izolimi i këtyre rasteve nga të tjerët ju ka lënë ndërgjegjes dhe vetëdijes personale të individit, spitalet janë të stërngarkuara e punëtorët shëndetësor të stërlodhur”, i tha Reporteri.net, Imet Rrahmani, të mërkurën.

    Edhe Time Kadrijaj, deputete e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, mjeke me profesion, thotë se gjendja aktuale me pandeminë është problematike.

    Ajo thotë se Qeveria Kurti duhet ta bëjë një analizë të mirëfilltë para se të marrë vendimet për mbyllje apo jo.

    “Kosova është vend i varfër dhe me një gjendje të rëndë ekonomike, andaj duhet të ruhen bizneset që të mos mbyllen totalisht, por duhet monitorohen”, tha Kadrijaj.

    “Qeveria e re duhet ta bëjë një analizë logjike dhe të arsyeshme, të debatohet me shtabet emergjente, njerëzit kompetent, Ministria e Shëndetësisë, Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik, Klinika Infektive dhe në bazë të rasteve të marrë edhe masat konform rekomandimeve të Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik”, thotë deputetja e AAK-së për Reporteri.net.

    Shton se pa një vetëdijesim është e pamundur të zvogëlohet numri i madh i rasteve me Covid-19, andaj thotë se personat që rezultojnë pozitiv duhet të mbikëqyren nga institucionet gjegjëse nëse po respektojnë izolimin në mënyrë që të mos e përhapin virusin.

    Gastronomët kundër masave të reja

    Kundër ashpërsimit të masave anti-COVID janë shprehur serish sektori i Gastronomisë, të cilët qysh nga viti i shkuar alarmojnë se janë më të dëmtuarit ekonomikisht nga ‘lockdown’ i marsit 2020.

    Gastronomët përmes një reagimi publik kanë kërkuar nga Qeveria që të takohen para se të merret ndonjë vendim për ashpërim të masave anti-COVID.

    “Qeveria e re e ka marre shtetin në dorë në situatën me të rëndë të shëndetit publik dhe ekonomisë. Ne nuk duam ta kapim për fyt qysh në ditët e para, me presion, zhurmë, protesta. Ne thjeshte kërkojmë nga ta bashkëpunim, që të dalim nga kjo krizë e përbashkët që po kalojmë. Po shpresojmë që lajmet mos t’i marrim vesh nëpërmjet mediave, po ashtu siç na është premtuar nga vete subjekti që tanimë ka filluar qeverisjen, që të ulemi së bashku, të bisedojmë, dhe vendosim për te ardhmen. Vetëm bashkërisht mund ta kalojmë krizat e shëndetit publik dhe shëndetit ekonomik”, thuhet në reagimin e gastronomëve.

    Ndërkohë që në media është përfolur se Qeveria e re e Kosovës do të marrë vendimin që që nga e hëna të vendosen masa të reja, ku aludohet se do të kthehen serish mbylljet nga ora 18:00 deri në ora 05:00 të mëngjesit, Kryeministri Albin Kurti dje në mbledhjen e qeverisë theksoi se vendi është në krizë shëndetësore dhe ekonomike.

    Kërkoi nga ministrat, veçanërisht nga Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia dhe ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, të hartojnë sa më parë një plan për luftimin e pandemisë.

    “Jemi ende në një krizë shëndetësore dhe ekonomike. Deri sot kemi mbi 83 mijë persona të infektuar dhe 1,776 të vdekur deri dje zyrtarisht. Vetëm në 24 orët e fundit kishim 827 raste të reja dhe 16 të vdekur. Këto nuk janë thjesht numra dhe statistika por janë jetë njerëzish, janë familjarë, vëllezër e motra, prindër e gjyshër të cilët do të mungojnë në tavolinat e ushqimit në secilën shtëpi. Andaj duhet të veprojmë me urgjencë që të ulim rastet e dhe të eliminojmë vdekjet e reja si rezultat i virusit Covid-19, por duhet të ketë plane të zbatueshme të cilat marrin parasysh shëndetin fizik dhe mendor të qytetarëve si dhe shëndetin e ekonomisë së vendit tonë. Balancimi i këtyre duhet të bëhet përmes një plani që duhet të hartohet me urgjencë nga ministria e shëndetësisë, e ekonomisë dhe ministrive tjera. Kërkohet punë konkrete dhe rezultate sa më të shpejta”, deklaroi Kurti në mbledhjen e kabinetit qeveritar, shkruan Reporteri.net.

    Kurti pasi u bë kryeministër ka thënë se deri në fund të vitit do të vaksinohen 60% e qytetarëve.

    “Brenda vitit synojmë sigurimin e vaksinave për 60% të popullsisë që do të sigurojë imunizim të mjaftueshëm për të filluar gradualisht kalimin në normalitet”, tha Kurti të hënën, derisa prezantoi ekspozenë e tij si Kryeministër, në Kuvend. /Reporteri.net/.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!