×
  • Lajme
  • Lajme

    Rruga e re e refugjatëve drejtë Evropës Perëndimore, përmes Shqipërisë dhe Kosovës

    Reporteri
    08 Dhjetor 2021 | 19:53

    Emigrantët dhe refugjatët që përpiqen të arrijnë në Evropën Perëndimore po përdorin gjithnjë e më shumë rrugën e re përmes Kosovës , me ndihmën e kontrabandistëve të qenieve njerëzore dhe ndërmjetësve vendas.


    Një prej emigrantëve, Ibrahim Halil Almohaimid 23 vjeç, është refugjat dhe Kukësi është kthyer në pikë kalimi, këtë herë nga Shqipëria në Kosovë, derisa emigrantët dhe refugjatët nga Lindja e Mesme, Azia dhe Afrika janë në kërkim të rrugëve të reja për në Evropën Perëndimore nëpërmjet Ballkanit .

    Almohaimid ishte vetëm 16 vjeç kur Shteti Islamik mori kontrollin në vendin e tij të lindjes në vitin 2014. Qyteti u çlirua më vonë pas tre vjetësh, por qyteti u shkatërrua dhe Almohaimid vendosi të mos kthehej më në të. Ai dhe shoku i tij Abdurezal Mustafa Kestub ikën nga Idlibi në veriperëndim të Sirisë dhe thanë se do të shkonin në Serbi dhe prej andej në Gjermani. Kur u nisën për udhëtim, ata besuan se Evropa do t’i priste refugjatët sirianë krahëhapur.

    “Foleja e shqiponjës”

    Të “armatosur” me telefona inteligjentë dhe kryesisht të drejtuar nga kontrabandistët, shumica e emigrantëve shkojnë në “Folenë e Shqiponjës”, një shteg malor në pikën kufitare të Morinës, për të ndjekur ëndrrën e tyre për të gjetur një vend për jetë më të mirë.

    “Policia është mirë në Shqipëri dhe na kanë thënë edhe në Kosovë që na trajtojnë mirë. Kjo është arsyeja pse po kalojmë nëpër Kosovë. Synimi ynë është të shkojmë në Gjermani sepse është vendi më i mirë në Evropë”, tha Almohaimid, duke pritur para komisariatit të Kukësit për ta kthyer në qendrën e refugjatëve në Tiranë pasi policia ndaloi makinën me të cilën ai ishte dhe drejtohej nga një shqiptar vendas.

    Policia shqiptare thotë se ka regjistruar një rritje të numrit të emigrantëve dhe refugjatëve që kalojnë ilegalisht në Kosovë, me shpresën për të hyrë në Serbi dhe përfundimisht për të arritur në Bashkimin Evropian nëpërmjet Kroacisë ose Hungarisë. Rojet kufitare të Kosovës kanë kthyer rreth 1530 emigrantë në 10 muajt e parë të këtij viti.

    “Kontrabandistët po i dërgojnë drejt e në kufirin e Morinës. Ata po përdorin telefona inteligjentë dhe GPS për të kaluar kufirin e gjelbër”, tha Sokol Noka, kreu i njësisë së hetimit të krimeve të policisë rajonale të Kukësit.

    Disa emigrantë udhëtojnë vetëm, por shumica, thonë ekspertët, paguajnë kontrabandistët dhe ndërmjetësit lokalë për t’i ndihmuar ata të kalojnë shumë pika kufitare në Ballkan. Gjithnjë e më shumë po vihet re fakti se kontrabandistët janë vetë ish-migrantë.

    “Ndërsa në të kaluarën migrantët ecnin vetëm në rajon ose merrnin mbështetjen e vendasve që e njohin terrenin, tani ata po marrin përsipër gjithnjë e më shumë biznesin,” thotë Kristina Amerhauser, menaxhere e programit të Iniciativës Globale kundër Krimit të Organizuar Transnacional në Gjenevë.

    Sipas Agjencisë Evropiane të Rojës Kufitare dhe Bregdetare Frontex, në dhjetë muajt e parë të këtij viti janë regjistruar rreth 48.500 kalime të paligjshme kufitare në Ballkan. Vetëm në tetor, rreth 9,000 njerëz hynë ilegalisht në BE përmes Ballkanit.

    Sirianët, afganët dhe marokenët përbëjnë pjesën më të madhe të migrantëve dhe refugjatëve që kalojnë rajonin. Sipas Iniciativës Globale, 1,978 persona kanë udhëtuar ilegalisht përmes Shqipërisë në vitin 2013, dhe ky numër është rritur në 11,971 në 2020.

    Sirianët kryesisht hyjnë në Turqi dhe më pas kalojnë Detin Egje në Greqi, përpara se të udhëtojnë në veri në Maqedoninë veriore ose Shqipëri. Afganët kryesisht hyjnë në Pakistan në këmbë, pastaj shkojnë në Iran, Turqi dhe Greqi. Shumica e kalojnë kufirin grek me Shqipërinë në këmbë, në drejtim të Gjirokastrës apo Korçës. Nëse përgjohen, policia shqiptare i dërgon në Qendrën e Azilit në Tiranë.

    Refugjatët nuk qëndrojnë në Kosovë më shumë se tre apo katër ditë.

    “Thonë se kanë ardhur si azilkërkues, por në fakt Kosovën e përdorin vetëm për të hyrë në Serbi dhe pastaj në Kroaci apo Hungari”, tha Krasniqi për BIRN.

    Vetëm këtë vit, policia u ka dërguar prokurorëve 11 raste të trafikimit të dyshuar të qenieve njerëzore që përfshijnë 84 migrantë ose refugjatë. Shumica e kontrabandistëve të dyshuar janë nga Kosova, siç ka theksuar Krasniqi, por ka edhe nga Maroku dhe Siria.

    “Të dhënat e marra nga marrja në pyetje e mërgimtarëve tregojnë se ata paguajnë rreth 200-500 dollarë për udhëtimin nga kufiri shqiptar në Mitrovicë (në veri të Kosovës)”, ka thënë ai. /Reporteri.net

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!