Deputetja e PDK-së, Sala Jashari, ka akuzuar Lëvizjen Vetëvendosje për interpretimin e shtrembëruar të aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese, duke theksuar se kjo është bërë sipas dëshirës dhe siç ju konventon, shkruan Reporteri.net.
Ajo përmes një postimi në Facebook thotë se PDK-ja nuk ka refuzuar asgjë, por nuk është bërë pjesë e një manipulimi procedurial që synon të fshehë mungesën e legjitimitetit.
Ajo kritikoi trajtimin partiak dhe selektiv të seancës nga ana e Deharit dhe theksoi se Kushtetuta nuk mund të përdoret për të kaluar mbi vullnetin politik të shumicës.
Postimi i saj i plotë:
Interpretimi i aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese nga ana e Lëvizjes Vetëvendosje është bërë “sipas dëshirës”, pra në atë mënyrë që atyre iu konvenon.Z. Dehari pretendon se duke mos votuar për komisionin për votim të fshehtë, deputetët kanë refuzuar një të drejtë të garantuar nga Gjykata Kushtetuese, por ky është thjeshtë një shtrembërim i kuptimit të aktgjykimit dhe i të drejtës parlamentare.
Ne nuk kemi refuzuar asgjë, thjeshtë nuk jemi bërë pjesë e një manipulimi procedurial që synon të fshehë mungesën e legjitimitetit.
Mënyra e trajtimit të seancës konstituive që nga fillimi nga ana e kryesuesit ka qenë partiake dhe selektive, gjithashtu edhe në kundërshtim me parimin e neutralitetit institucional që duhet të ketë një kryesues i përkohshëm.