Zyrtari i Lëvizjes Vetëvendosje, Salih Zyba dy ditë pas zgjedhjeve të jashtëzakonshme që e nxorën partinë e tij si të parën, kërcënoi ish-partiakun e tij, e kreun e PSD-së, Shpend Ahmetin duke e krahasuar të njëjtin me ish-kryetarin e Kaçanikut, Xhabir Zharkun.
Zyba shkroi në Facebook se Shpend Ahmeti përveç se nuk do të jetë deputet, do të përfundojë duke u larguar nga Kosova, njëjtë si kishte vepruar Zharku.
Përkundër reagimeve të mëdha Zyba nuk ka kërkuar falje.
“Kush e lexon ma shumë se dy herë gjithsesi e kupton, përmes zyrës për media e japin ne opinionin më të gjerë edhe sqarimin. S’ka për me u pendu, as për me e ranu, as s’ka pas qëllim të keq. Këtë rast duhet me e sqaru qysh duhet jo veç me e hjeke gajle, po për momentin unë jam në një takim, sepse secilin send duhet me e sqaru”, ka thënë Zyba për Express.
Për atë se çka tha Salih Zyba dje kanë reaguar edhe ish-zyrtarët e VV-së, tash anëtarë të PSD-së, Fisnik Ismaili e Frashër Krasniqi.
Krasniqi tha se ishte Salih Zyba ai që shkonte duke qarë në zyrat e Komunës, duke kërkuar që t’ia punësojnë motrën, derisa shton se sot i njejti ka marrë rolin e gjykatësit suprem.