×
  • Lajme
  • Lajme

    Sami Kurteshi u del në mbrojtje protestuesve që u arrestuan dje në protestën kundër Trendafilovës

    Reporteri
    08 Shtator 2021 | 20:29

    Anëtari i Lëvizjes Vetëvendosje, Sami Kurteshi, ka kundërshtuar arrestimin e aktivistëve të PSD gjatë ditës së djeshme në protestën e tyre kundër kryetares së Gjykatës Speciale, Ekaterina Trendafilova.


    Sipas Kurteshit, aktivistët e PSD-së nuk do të duhej të arrestoheshin në këso rastesh e aq më pak të përdorej dhunë fizike ndaj tyre.

    Pesë aktivistë të PSD-së, dje u arrestuan e më pas u liruan pasi ndërprenë konferencën e kryetares së Dhomave të Specializuara, Ekaterina Trendafilova.

    Postimi i plotë:

    PROTESTA:
    THELBI I DEMOKRACISË!

    Arrestimi i protestuesve në Kosovë është më i „lehtë“ sesa këtë e lejon Kushtetuta dhe e kërkon ligji në Kosovë. Kjo „bëhet“ edhe më e lehtë kur protestuesit nuk janë pjesë e „pushtetit“.

    Protesta e qytetarëve apo grupeve të njerëzve të organizuar kundër veprimeve të pushtetit, apo edhe veprimeve që ligjërisht duhet të mbrohen nga institucionet shtetërore, edhe pa leje të institucioneve kompetente, janë shprehje e thelbit të demokracisë, derisa ato janë të lejuara me Kushtetutë e ligj.
    Protestuesit nuk mund të arrestohen për pjesëmarrje në një protestë të qetë, që nuk rrezikon jetën dhe pasurinë e të tjerëve.

    Protesta është e garantuar me Nenin 43 të Kushtetutës së Kosovës: „Liria e tubimit paqësor është e garantuar. Secili person gëzon të drejtën për të organizuar tubime, protesta dhe demonstrata, si dhe të drejtën për të marrë pjesë në to.

    Dhe jo vetëm protesta, po edhe shprehja e zëshme e pakënaqësisë në protestë është e garantuar me Kushtetutë (Neni 40). Këto të drejta mund të kufizohen vetëm me ligj (Neni 55), vetëm deri në masën sa nuk e cenojnë thelbin e të drejtës së garantuar. Prandaj është detyrim i institucioneve shtetërore, në radhë të parë dhe para së gjithash i organeve të ruajtjes së rendit – policisë, të respektojnë frymën e Kushtutës duke mbrojtur e ruajtur thelbin e demokracisë – të drejtën për të mos u pajtuar e edhe për të protestuar kundër vendimeve e veprimeve të institucioneve shtetërore.

    Në rastin e protestës së sotme nga grupi i aktiviste/ëve të PSD, kundë konferencës për media të Kryetares së Dhomave të Specializuara të Gjykatës në Hagë, policia mund t‘i ndalojë, largojë, kufizojë veprimet dhe lëvizjet e protestuesve me forcë, por jo me pëdorimin forcës së dhunshme, dhe atë vetëm në masën e mundësimit të kryerjes së veprimit të paraparë të institucioneve, pa përdorur në asnjë rast dhunën fizike ndaj protestuesve.

    Protestuesit edhe mund të largohen nga vendi i ngjarjes, të ndalohen përkohësisht nga pengimi i veprimit të paraparë, por jo të arrestohen. Është detyrim kushtetues i ligjvënësit dhe ligjzbatuesit për rregullimin ligjor të qasjes së policisë ndaj protestës, demonstratës dhe pjesëmarrësve në to.

    Edhe hetimi i shkeljeve të policisë nga organet kompetente, është detyrim ligjor, ashtu sikurse është sigurimi i jetës, pronës dhe veprimeve të ligjshme të institucioneve shtetërore.

    Kjo është Demokracia!

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!