Është javë vendimtare për Joe Bidenin, shkruan BBC.
Dymbëdhjetë ditë pas performancës në debat që mund të cilësohet si një prej debateve më dëmtuese në historinë moderne amerikane, presidenti është duke luftuar për mbijetesën politik nën presionin e madh nga të gjitha anët.
Samiti i kësaj jave i NATO-s në Washington mund të jetë së paku një ringjallje – ose përpjekja e fundit e këtij presidenti, përcjell gazeta online Reporteri.net.
Në ditët e fundit, Bideni është ngritur kundër kritikëve, duke pohuar se ka mandatin e votuesve demokratë dhe ka sfiduar kundërshtarët që t’i dalin përpara dhe të provojnë ta rrëzojnë.
Ai ka premtuar vazhdimisht se do të vazhdojë fushatën e tij dhe se koha për një kandidat të dytë ka përfunduar. Ky premtim do të nisë në samitin e NATO-s.
Bideni do të jetë nikoqir i liderëve të aleancës për tre ditë dhe do të kulmojë me një konferencë të tijën të enjten pasdite.
Është skenë në të cilën Bideni, burrë që i di mirë çështjet e jashtme, do të ndihet rehat. Mirëpo gjithashtu shton presionin për presidencën e tij, duke pasur parasysh se performanca e dobët do të ketë ndikim edhe ndërkombëtar.
Një gabim i tij mund të nisë stampedon politike në mesin e demokratëve që ia shuan shpresat për të arritur zgjedhjet presidenciale të nëntorit, e lëre më t’i fitojë ato.
Mund të thellojë edhe më shumë shqetësimet e aleatëve evropianë të cilët po përgatiten për kthimin e Donald Trumpit në Shtëpinë e Bardhë dhe ndërrim të politikës së jashtme amerikane që vjen me të.
Shqetësimi i Perëndimit
Besohet se shumë liderë evropianë janë duke qëndruar me frikë për Trumpin dhe strategjinë e tij të jashtme. Ish-presidenti doli nga shumë aleanca ndërkombëtare.
Mirëpo analistët vlerësojnë se liderët evropianë gjatë këtyre dy javëve kanë përjetuar diçka të re – Shqetësimet për Bidenin.
Pas debatit, aleatët e SHBA-së kanë nisur të dyshojnë nëse presidenti është i aftë për këtë post.
Ata po shpresojnë që të shohin shenja se performanca në debat nuk reflekton për normalen e re të Bidenit.
Krejt sytë do të jenë kah presidenti i SHBA-së teksa do të marrë pjesë nëpër konferenca në të cilat do të jenë edhe liderët e shteteve aleate.
Edhe nëse do të mbahen konferenca me dyer të mbyllura, fjalët për performancën e Bidenit, për mirë a për keq, do të qarkullojnë.