Përfaqësuesi i Posaçëm i Gjermanisë për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarrazin, po qëndron sërish në Prishtinë, ku bashkë me ambasadorin gjerman në Kosovë, Jörn Rohde janë pritur në takim nga kryeministri Albin Kurti dhe zëvendëskryeministri i Parë, Besnik Bislimi, shkruan Reporteri.net.
Temë qendrore e bisedës ishte situata e sigurisë në Republikën e Kosovës.
“Pas sulmit terrorist të 24 shtatorit të organizuar e mbështetur nga Beogradi zyrtar nga i cili u vra në krye të detyrës, rreshteri i Policisë Afrim Bunjaku, veprimet destabilizuese të Serbisë vijuan dhe përgjatë vijës kufitare me Republikën e Kosovës”.
Kurti theksoi që dëshmitë e mbledhura përgjatë hetimeve të realizuara pas sulmit kriminal dhe terrorist, faktojnë e dëshmojnë përfshirjen e drejtpërdrejtë të institucioneve shtetërore të Serbisë në këtë akt agresioni ndaj Republikës së Kosovës, për të cilin Serbia duhet të sanksionohet e ndëshkohet ndërkombëtarisht.
“Pas dështimit të sulmit të armatosur me formacionet para-ushtarake të udhëhequra nga Milan Radoiçiq, marshimi dhe vendosja e trupave ushtarake serbe përgjatë kufirit me Kosovën ishte hapi i radhës i institucioneve të Serbisë për të kërcënuar integritetin territorial të vendit tonë dhe mbështetur një agresion të mundshëm ushtarak kundër Republikës së Kosovës.
“Në anën tjetër, Policia e Kosovës, përmes ushtrimit të kompetencave të saj kushtetuese e ligjore, mbetet e angazhuar dhe e përkushtuar në garantimin e sigurisë për të gjithë qytetarët në komunat në veri të vendit dhe bashkëpunimin me partnerët e aleatët tanë ndërkombëtarë”.
Kurti e falënderoi emisarin Sarrazin për këtë vizitë të radhës dhe angazhimin e tij të vazhdueshëm e intensiv. /Reporteri.net/.