×
  • Lajme
  • Lajme

    SBASHK refuzoi propozimin e Golës, ai shpjegon mesazhet e “çuditshme” që iu dërguan shkollave

    Reporteri
    23 Shtator 2022 | 23:33
    Profesori universitar dhe deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Ardian Gola

    Kryetari i Komisionit për Arsim në Kuvendin e Kosovës, Ardian Gola ka thënë se propozimi i tij, i dhënë sot, që të ndalet greva dhe mësimdhënësit të shfrytëzojnë mekanizma të tjerë për t’i bërë presion qeverisë, është refuzuar nga SBASHK.

    Gola ka thënë se refuzimi i SBASHK është kategorik dhe i barrikaduar. Ai e ka quajtur të çuditshëm refuzimin e SBASHK nëpërmjet takimit online që e kishin këtë mbrëmje.

    “Është refuzim kategorik, i pamëdyshje dhe goxha do të thoja i barrikaduar. Nemund ta kontestojmë metodologjinë si i kanë mbledhur ato të dhëna. Një refuzim goxha i çuditshëm i propozimit aspak politik, aspak taktizues, por të sinqertë”, ka deklaruar ai.

    Gola i ka parë me dyshim mesazhet që udhëheqësit e SBASHK-ut i kanë dërguar nëpër shkollat e Kosovës, ku propozimi i tij paraqitet edhe si propozim i ministrit të Financave, Hekuran Murati.

    Ai ka thënë se kjo mund të jetë bërë për të krijuar pyetje sugjestive te anëtarët sindikalë në nivele komunale.

    “Ata i kanë shpërndarë në komuna, kush është për propozimin e Ardian Golës. Ata e kanë futur edhe Hekuran Muratin, ai s’ka bërë asnjë propozim të tillë, por kush e di se si… Ato mesazhe janë në atë mënyrë që propozimi im të duket i orkestruar politikisht, që me futë pyka dhe përçarje në grevën e sindikalistëve”, ka thënë ai në T7.

    Propozimi i Golës sot në komision, ishte që SBASHK të ndërpres grevë dhe të përdor mekanizmit e mos-notimit të nxënësve, si presion ndaj Qeverisë së Kosovës për t’i plotësuar kërkesat e tyre.

    Gola ka thënë se propozimi i tij nuk ishte i koordinuar me kryeministrin Albin Kurti, por ishte i diskutuar me anëtarët e komisionit që e drejton.

    “Unë nuk jam koordinuar me kryeminsitrin Kurti, absolutisht jo. Ishte vullnet nga ana ime dhe i diskutuar edhe nga komisioni”, ka thënë ai.

    Qëndrimet e kryeminsitrit Kurti janë parimore, ka vlerësuar Gola, ngase sipas tij, ai po mbron interesin e përgjithshëm, duke e pasur të pamundur të plotësojë kërkesat e vetëm një sektori.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!